Lajmet e fundit

Shqipëria merr pjesë në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s që po mbahet në Paris. Votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO pritet të mbahet në seancën e 9 nëntorit.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e quajti të rëndësishëm anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, gjatë fjalës së mbajtur në sesionin e 38-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s që po mbahet në Paris. Në mesin e shumë çështjeve që do të konsiderohen në këtë konferencë është edhe rekomandimi i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.
“Me marrjen e vendimit, me shumicë të qartë, për t’i rekomanduar Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, anëtarësimin e Kosovës, në vijim të një rezolute të propozuar nga Shqipëria, Këshilli ekzekutiv i UNESCO-s kreu detyrën e tij institucionale”, tha Kumbaro. Sipas saj, Kosova ka pasur progres për sa i përket qasjes ndaj trashëgimisë kulturore duke treguar një përgjegjësi institucionale dhe kulturore.
“Ata kanë reaguar një zëri kundër dëmeve të shkaktuara nga trazirat e marsit 2004 ndaj kishave dhe manastireve ortodokse. Kisha Ortodokse serbe, njihet në Kosovë, identiteti i saj, dhe të drejtat e saj, mbrohen nga Kushtetuta dhe ligjet e tjera të vendit. Sitet e UNESCO-s dhe të gjitha qendrat e trashëgimisë kulturore, vizitohen çdo vit nga mijëra turistë, mbrohen nga një kuadër juridik i konsoliduar dhe modern, që është pjesë e legjislacionit të Kosovës, dhe i koordinuar e nën kujdesin e komunitetit ndërkombëtar pranishëm në Kosovë.
Pjesa më e madhe e objekteve të dëmtuara nga trazirat e 2004-s, janë restauruar e rindërtuar me financat e qeverisë së Kosovës e të partnerëve të saj ndërkombëtarë”, tha Kumbaro. Sipas saj, konfliktet e gjata në Ballkan nuk mund të ndryshojnë atë çka përmban toka në thellësitë e saj kulturore dhe historike. “Nuk është thjesht një çështje anëtarësimi në UNESCO. Është e gjitha çështje e emancipimit të shoqërisë, e të gjitha shoqërive tona dhe e mendjes së hapur”, tha Kumbaro, duke shtuar se “anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, është jo vetëm i nevojshëm, por më se i merituar”.
“Kosova me historinë, popullin, monumentet dhe kulturën e saj, ka ruajtur një pjesë të mozaikut kulturor të Ballkanit. Të gjitha shtetet e tjera të rajonit janë anëtare të UNESCO-s dhe do të ishte absurde, madje dhe qesharake, që një anëtar i familjes së Ballkanit të mos jetë edhe formalisht brenda organizatës më të madhe në aspektin e kulturës dhe arsimit, ndërkohë që Kosova është pjesë e saj prej lidhjes së saj organike dhe historike”, tha Kumbaro. Për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, nuk është e interesuar vetëm Kosova, por edhe fqinjët e saj, Serbia, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilët përfitojnë po aq shumë.
“Nën mbikëqyrjen dhe asistencën e organizatës, vendi duhet të shohë me vëmendje të veçantë trashëgiminë materiale dhe jo materiale, duke përfshirë monumentet tanimë të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, për të cilën ai është përgjegjës dhe për të cilën përgjigjet përpara gjithë njerëzimit”, tha Kumbaro, duke ftuar Serbinë ta shohë këtë anëtarësim si një mundësi për të dëshmuar se ka një shpirt bashkëpunues dhe të drejtë në raport me angazhimet e marra dhe të shkëpusë lidhjet me një të shkuar të errët. Sesioni i 38-të i Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s ka 195 anëtarë, nga të cilët 111 e kanë njohur Kosovën, e 84 jo, dhe rekomandimit i duhen dy të tretat e votave për të kaluar. Votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO pritet të mbahet në seancën e 9 nëntorit./Gazetashqip