Lajmet e fundit
“Rikonstruksionin na e ka pranuar edhe kryeministri Rama, e ky do të jetë një investim gjysmë për gjysmë i Qeverisë shqiptare dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Kukësi e meriton këtë gjë, pas sukseseve në kampionatin shqiptar dhe atë europian, mbi të gjitha duke luajtur pastër”, tha presidenti i skuadrës

Kukësit do t’i dhurohet një stadium i ri nga Qeveria e Shqipërisë dhe Federata Shqiptare e Futbollit.
Në një intervistë për Top Channel, presidenti i skuadrës kampione të Shqipërisë, Safet Gjici tregon rreth projektit të rikonstruksionit të stadiumit, i cili kap shifrën e 5 milionë eurove, për një kapacitet prej rreth 10.000 vendesh.
“Rikonstruksionin na e ka pranuar edhe kryeministri Rama, e ky do të jetë një investim gjysmë për gjysmë i Qeverisë shqiptare dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Kukësi e meriton këtë gjë, pas sukseseve në kampionatin shqiptar dhe atë europian, mbi të gjitha duke luajtur pastër”, tha Safet Gjici.
Aktualisht, stadiumi i Kukësit “Zeqir Ymeri” nuk plotëson asnjë kriter për zhvillime ndeshjesh ndërkombëtare, por sipas Gjicit, gjithçka me projektin e ri mund të fillojë në mbyllje të këtij sezoni, për t’u mbyllur në fillim të sezonit 2019-2020.