11.10.2019 · përditësuar para 2462 dite1 min lexim
Ismail Kadare ka vijuar rutinën e tij të përditshme duke pirë kafe "Juvenilja" pranë Parkut të Liqenit me botuesin dhe mikun e tij Bujar Hudhri, ndërsa në Akademinë Suedeze të Çmimeve Nobel diskutohej emri i tij.
Gazeta Mapo ishte pranë Ismail Kadaresë dhe botuesit të tij për të marrë një reagim para se të jepej çmimi, por as njëri nga ta nuk janë shprehur.
Në kohën që doli lajmi nga Akademia Suedeze, Kadare ka reaguar me qetësi dhe i qeshur.
Mapo ka fotot e shkrimtarit të njohur në momentin kur u ndanë çmimet Nobel në Letërsi për vitin 2018 dhe 2019, të cilët shkuan për shkrimtaren polake Olga Tokarczuk dhe shkrimtarin austriak Peter Handke.
"Juvenilja" është vendi i preferuar i Kadaresë gjatë ditëve të qëndrimit në Tiranë dhe këtë e di çdo mik apo adhurues i letërsisë së tij, edhe pse kjo kafe akoma nuk është bërë e njohur në veprat e tij, ashtu siç u bë “Kafe Rostand”, ku ai qëndron dhe shkruan në Paris.
Shkrimtari më i njohur shqiptar në botë për të disatin vit është në listën favorite të çmimeve Nobel në Letërsi.
Emri i tij qarkullon në listën e Akademisë Suedeze, e cila ndan çmimet më të larta në letërsi, që në fillim të viteve ’90, kur Shqipëria doli nga regjimi komunist dhe Kadare nisi të botohej gjërësisht në rreth 30 gjuhë të botës.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
LH
SHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.