Në Spitalin Rajonal të Prizrenit, për herë të parë janë kryer me sukses dy koronografitë e para në mënyrë të pavarur.
Në një njoftim të lëshuar për media nga spitali thuhet se kjo shënon një moment të rëndësishëm në historinë e këtij institucioni mjekësor.
Sipas spitalit, deri më tani këto procedura janë realizuar nga, ose nën mbikëqyrjen e ekipeve të ardhura nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
“Ky hap përfaqëson një arritje të madhe në fuqizimin e kapaciteteve të brendshme të spitalit dhe në avancimin e Shërbimit të Kardiologjisë Invazive. Koronografitë tash e tutje do të realizohen nga kardiologët: Dr. Fazli Berisha, Dr. Ramiz Kadriaj dhe Dr. Fati Tamnik.”
“Procedurat do të kryhen sipas listës së pritjes dhe pritet të ndikojnë dukshëm në shkurtimin e kohës së pritjes për pacientët që kanë nevojë për këto shërbime të specializuara”, thuhet në njoftim.
Nga fillimi i punës më 14 qershor 2024, Shërbimi i Kardiologjisë Invazive në Spitalin “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka realizuar 873 koronografi dhe 301 stentime. /Klankosova.tv
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.