Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri, Holta Zaçaj, duket se ka bërë një hap pas. Pasi iu drejtua Komisionit të Venecias, këtë të enjte ajo thirri mbledhjen e gjyqtarëve për të deklaruar përfundimin e mandatit të saj.
Në njoftimin e dërguar nga vetë ajo thuhet se në mbledhje nuk pati një vendimmarrje dhe seanca u shty për në ditët e ardhshme.
Në njoftim, Zaçaj sqaron pretendimet në lidhje me mandatin e saj duke këmbëngulur se përfundon në fund të vitit 2025.
“Sqaroj se unë nuk jam gjyqtare zëvendësuese e gjyqtares Vitore Tusha, pra nuk jam zgjedhur brenda mandatit 9-vjeçar të kësaj të fundit, të cilin e ajo ka kryer dhe e ka përfunduar për të gjithë kohën e parashikuar nga norma kushtetuese (pra për 9 vjet). Unë jam zgjedhur në detyrë në një mandat të ri kushtetues që për arsye objektive, për shkak të vonesave në procedura, filloi të ushtrohej me vonesë por që në mënyrë përjashtimore nga rregulli i zakonshëm i kohëzgjatjes së detyrës për 9 vjet, ishte përcaktuar si i kufizuar për shkak të parashikimit të posaçëm të nenit 179, pika 3, të Kushtetutës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu Zaçaj akuzon Gjykatën e Lartë se ka vepruar në kundërshtim me ligjin.
“Shpallja e vendit vakant nga Gjykata e Lartë, pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese e ka zhveshur këtë të fundit nga kompetenca kushtetuese, veprim ky i paprecedent dhe i marrë me një urgjencë të pajustifikuar nga interesi publik apo forcë madhore, për të cilën të kërkohej ndërhyrje e menjëhershme”, shkruhet në njoftim.
Sipas Holta Zaçaj në asnjë rast në 32 vjet të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka pasur një praktikë në të cilën afati i mbarimit të mandatit të gjyqtarit pasues të ishte data e përfundimit të gjyqtarit paraardhës. /a2news
●●●
EVSHKRIMI NGA
E V
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.