Drita - Gjilani vazhdon të mbetet ndër duelet më të zjarrta në futbollin e Kosovës. Përtej kësaj, deri këtë edicion që nis më 10 gusht, ky ballafaqim ishte edhe i vetmi derbi lokal në katër vitet e fundit që e kishte elita e futbollit kosovar.
Megjithatë edicioni 2024/2025 e prodhon edhe një tjetër të tillë, pasi kampioni aktual, FC Ballkani do t'i ketë katër përballje me FC Suhareken e promovuar sivjet në Albi Mall Superligë, transmeton klankosova.tv.
Karakteristikë e viteve të fundit është mungesa e një derbi të qytetit në Prishtinë. Që nga rënia e Flamurtarit në sezonin 2019-2020, asnjë skuadër tjetër e kryeqytetit nuk ka arritur të inkuadrohet në Superligë, nga katër ekipe që garojnë në Grupin A të Ligës së Parë (Flamurtari, 2 Korriku, Ramiz Sadiku e Prishtina e Re).
Ndërkaq edicioni i fundit që qendra më e madhe e shtetit kishte më shumë se dy skuadra në Superligë, ishte ai 2008/2009 kur 2 Korriku po shijonte herën e fundit në mesin e më të mirëve në Kosovë, kurse aty ishin edhe Flamurtari e Prishtina.
Ndonëse edhe liga ishte më e zgjeruar, sezoni i parë pas luftës e pasuronte elitën kosovare në futboll me plot 5 klube, teksa në fund të kampionatit vetëm 2 Korriku nuk e siguronte mbijetesën. Prishtina, Flamurtari, Kosova e Besëlidhja ishin skuadrat që vazhdonin t’i jepnin kryeqytetit ndeshje derbi, njofton klankosova.tv.
Prishtina e Re është klubi që sezonin e kaluar arriti deri në ndeshjen finale të barazhit, por që u mposht nga Feronikeli’74 dhe nuk arriti të inkuadrohet në Superligë.
Ndërkohë, Prishtina mbetet skuadra e vetme nga përbërja aktuale e Superligës që asnjëherë nuk ka rënë në ndonjë kategori më poshtë se ajo elitare.
●●●
KRSHKRIMI NGA
kushtrim reshitaj
Editorial nga Klan Kosova — ndjek superliga dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.