Lajmet e fundit

Kryeministri i Ukrainës i kërkoi Bashkimit Evropian dhe Japonisë të martën të vendosin sanksione të reja ekonomike ndaj Rusisë pas vdekjes së liderit të opozitës ruse Alexei Navalny.
Komentet erdhën pasi vendet e BE-së, si Gjermania, Lituania dhe Suedia, kërkuan dënime të reja specifike pas vdekjes së Navalnyt në një koloni të largët penale në Rusi, ndërsa presidenti i SHBA-së, Joe Biden paralajmëroi gjithashtu se Moska mund të përballet me pasoja.
"Ne kërkojmë të zbatohet ky sanksion për çështjet ekonomike, në sferat ekonomike dhe në sferat politike për personalitetet", tha Denys Shmyhal në një konferencë shtypi në Tokio, ku u takua me kryeministrin Fumio Kishida për të diskutuar rindërtimin në Ukrainë.
Shmyhal shtoi se Kievi mezi pret të fitojë mbështetjen e Kongresit të SHBA për një paketë ndihme për të ofruar mbështetje ushtarake për forcat ukrainase të përballura me mungesë municioni, veçanërisht municionesh me rreze të gjatë, për të ndihmuar në shënjestrimin e linjave të furnizimit ruse, raporton Reuters, transmeton Klankoosova.tv.
“Ne po luftojmë për vlerat demokratike për të gjithë botën demokratike, kjo është një luftë ekzistenciale e demokracisë kundër autokracisë”, tha ai.
Të dielën, Rusia tha se kishte marrë kontrollin e qytetit ukrainas Avdiivka, fitorja e saj më e madhe që nga rënia e Bakhmut në maj, që vjen pothuajse dy vjet nga dita që kur Presidenti Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës.
Ky sukses rus erdhi pasi ligjvënësit amerikanë vazhduan të grindeshin për një paketë ndihme ushtarake për Kievin.
Mike Johnson, kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, ka thënë se dhoma e tij nuk do të nxitojë të shqyrtojë një paketë ndihme ushtarake prej 95.34 miliardë dollarësh për Ukrainën dhe Izraelin, tashmë të miratuar nga Senati.
Qeveria japoneze ka premtuar ndihmë financiare prej më shumë se 10 miliardë dollarësh për Ukrainën deri më tani, por nuk ka ofruar asnjë ndihmë ushtarake pasi ndalon eksportin e armëve vdekjeprurëse, transmeton Klankosova.tv.