Lajmet e fundit

“Onufri” boton për herë të parë si libër më vete romanin “Krushqit janë të ngrirë”.
“Krushqit janë të ngrirë”, një nga librat himn për Kosovën shkruar nga Ismail Kadare në vitet 1981-1983, vjen për herë të parë nga Shtëpia Botuese “Onufri” si libër më vete.
Kjo vepër është konsideruar si dëshmia e parë dhe tepër e rrallë e masakrës serbe në Prishtinë në pranverë të vitit 1981. Ndër të tjera, ajo pati si qëllim njohjen e publikut shqiptar, dhe sidomos atij botëror, me terrorin e ushtruar në Kosovë.
Për fat të keq, pavarësisht nga ky synim, vepra u prit fare ftohtë nga Shqipëria zyrtare, gjë që shpjegon botimin e saj tepër të vonë, më 1986, në përmbledhjen e tregimeve “Koha e shkrimeve”.
Vepra nuk u botua asnjëherë si libër më vete. Përkthimi i saj më pas, në shumë vende të Europës, do të hidhte dritë mbi të vërtetën e tragjedisë së Kosovës.
“Krushqit janë të ngrirë” do të ribotohej dhe në veprën e 12-të të Kadaresë, kur botuesi i tij solli të plotë në një kolanë veprën e shkrimtarit, bashkë me tre vepra të tjera si: “Dosja H.”, “Qorrfermani” dhe “Viti i mbrapshtë”.
Ajo çfarë i bëri bashkë këto vepra ishte fakti që ishin shkruar midis fillimit dhe gjysmës së viteve ’80. Njëra prej tyre, “Dosja H.”, u botua më 1981 në revistën “Nëntori”, kurse “Krushqit janë të ngrirë” dhe “Viti i mbrapshtë” në përmbledhjen “Koha e shkrimeve”.
Ndërsa asnjëra prej këtyre tri veprave nuk u botua si libër më vete gjatë kohës së komunizmit, “Qorrfermani” mbeti krejtësisht i pabotuar për shkak të subjektit delikat.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/01/26/krushqit-qe-u-priten-ftohte-nga-regjimi-komunist/