Lajmet e fundit

Një dëshmitare e cila ishte në vendin e ngjarjes, i ka treguar Klan Kosovës fjalët e fundit që i kishte thënë viktima para se të vritej.
“Po, më duket se ka qenë shtatzënë sepse ka bërtitur: pasha këtë fëmijë që kam me lind sonte”.
“Ai veç e ka nxjerrë alltinë prej xhepit dhe e ka qëlluar dy herë”, ka shtuar dëshmitarja.
Pastaj u bë e ditur se viktima edhe më herët kishte pasur probleme me burrin e saj dhe se kjo ishte arsyeja e ndarjes me të.
Sipas Nazlije Balës – këshilltare e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, tashmë e ndjera edhe më herët kishte kërkuar ndihmë nga organet e drejtësisë.
Edhe pse dihet emri dhe mbiemri i dorasit të vrasjes, ai ende ndodhet në arrati. Deri në momentin kur po shkruhet ky artikull, nuk ka ndonjë konfirmim nga organet e rendit dhe ligjit për arrestimin e tij.
Si përgjigje ndaj këtij rasti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se duke filluar në orën 08:30, do të mblidhet grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional.
Po ashtu, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe YIHR, sot organizon protestë me moton “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare”.
Ngjarja pritet të fillojë nga ora 16:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Kujtojmë se ky është rasti i dytë brenda një jave, ku një grua vritet nga bashkëshorti i saj.
Kjo ndodh pikërisht në “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”.
klankosova.tv