Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se po vazhdon numërimi në 26 Qendra Komunale të Numërimit.
Sipas KQZ-së, gjatë ditës ka filluar procesi i numërimit të votave për kandidatë në Qendrat Komunale të Numërimit në Suharekë, Ferizaj dhe Vushtrri, ndërsa gjatë pasdites ka filluar numërimi edhe në Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime dhe Junik.
"Deri më tani, më 11 dhe 12 shkurt, procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime ka filluar në QKN-të e komunave: Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Skenderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Partesh, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Hani i Elezit", thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë ditës është raportuar se në Qendrën Komunale të Numërimit në Shtime është ndërprerë procesi i numërimit për disa minuta pasi gjatë numërimit është ndalur energjia elektrike.
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.