Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) e ka fituar të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian U20, Divizioni B në konkurrencën e femrave.
Kampionati do të mbahet prej 3 deri më 11 gusht të vitit 2019 në Prishtinë, njofton Klan Kosova.
Këtë vendim e ka marrë Bordi i FIBA Evropës në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur në Munich.
Shtetet pjesëmarrëse në këtë Kampionat do të jenë: Kosova, Islanda, Kroacia, Izareli, Ukraina, Irlanda, Britania e Madhe, Danimarka, Turqia, Rumania, Finlanda, Greqia dhe Bullgaria.
“Për FBK-në, por edhe për vet Kosovën dhe sportin kosovar në përgjithësi dhe në veçanti sportin femëror, kjo është një e arritur e madhe. Federata e Basketbollit të Kosovës këtë vit ishte organizatore e FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C, në të cilin Përfaqësuesja jonë triumfoi në mesin e nëntë shteteve duke u shpallur kampione dhe duke avancuar një Divizion më lartë, pra në atë B që nga viti 2019”, thuhet në njoftomin e FBK-së.
Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka thënë se punë e mirë që është bërë në Kosovë është arsyeja se pse do të organizohet edhe njëherë një ngjarje e tillë.
“Organizimi i shkëlqyeshëm i FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C në verën që e lamë pas si dhe puna e madhe që FBK po e bën me gjenerata të reja dhe interesimi ynë për të avancuar basketbollin femëror ka bërë që Bordi i FIBA Evropës sot të aprovojë kandidaturën e Kosovës”, ka thënë Dushku.
Ajo shtoi se janë duke punuar në ngritjen e cilësisë së basketbollit të femrave si dhe për zhvillimin e tij në gjeneratat e reja tek moshat 6 deri në 15 vjeç.
“Sigurisht se për ne është nder organizimi i një Kampionati të nivelit të tillë, por në të njëjtën kohë është edhe përgjegjësi e madhe. Normalisht se këtu presim mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, më saktësisht, Ministrisë së Sportit, si dhe të Komunës së Prishtinës, por edhe të sponsorëve të ndryshëm. Ne jemi shumë të emocionuar që vitin e ardhshëm do t’ju sjellim adhuruesve të basketbollit kosovar një Kampionat Evropian në konkurrencën e femrave dhe në të njëjtën kohë premtojmë se do të punojmë që gjithçka sa i përket organizimit të shkoj në mënyrën më të mirë të duhur”, përfundoi Dushku.
●●●
ABSHKRIMI NGA
A. BA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.