Lajmet e fundit

Trajneri italian, Xhani De Biazi, pret që në periudhën dyvjeçare ekipin “A” të Shqipërisë ta pasurojë edhe me disa lojtarë të tjerë të rinj, kryesisht kosovarë, por kjo ide e italianit pritet të kundërshtohet fuqishëm nga Kosova. Ndër emrat që De Biazi synon të afrojë në ekipin kombëtar janë në shënjestër edhe të përfaqë- sueses së Kosovës.
De Biazi, pak ditë më parë në një intervistë për mediumet në Shqipëri, ka thënë se lojtarë perspektivë që mund të jenë shumë shpejt në Kombëtare janë kosovarët Shani Tarashaj, që luan për Grasshopperin dhe U-21 të Zvicrës, Albian Ajeti i Bazelit, që po ashtu luan për U-21 e Zvicrës, pastaj Milot Rashica i Viteshes, që përfaqëson U-21 të Shqipërisë dhe Liridon Latifi i Skënderbeut, që po ashtu luan me ekipin U-21 të Shqipërisë. “Janë lojtarë mjaft interesantë. Janë të rinj dhe kanë vërtet shumë cilësi të mira, por duhet parë se a kanë një mendje të profesionistit”, ka thënë De Biazi ditë më parë.
Rashica, 19-vjeçar, më herët ka qenë pjesë e Kosovës. Ai është paraqitur në dy ndeshjet që Kosova i zhvilloi në marsin e këtij viti kundër dy skuadrave të Bundesligës, Eintraht Frankfurtit dhe Verder Bremenit. Rashica ka luajtur edhe për U- 21 e Kosovës, ashtu si edhe Latifi për U-19 e Kosovës para se të dy t’i bashkoheshin ekipit U-21 të Shqipërisë, PanoramaSport.