Qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi kanë nënshkruar sot një marrëveshje kulturore e cila i rregullon raportet kulturore ndërmjet dy vendeve dhe e konkretizon këtë bashkëpunim.
Ujdia u firmos nga ministrat e kulturës të tw dyja vendeve, Kujtim Shala dhe Janko Ljumoviq, në praninë e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.
Fillimisht, Mustafa priti në takim ministrin e Kulturës të Malit të Zi, Janko Ljumoviq, ku u bisedua për shkëmbimet ndërmjet dy vendeve, më theks të posaçëm në fushën e kulturës.
Mustafa, me këtë rast, vlerësoi raportet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy shteteve duke theksuar përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit me Malin e Zi.
Sipas marrëveshjes, Kosova dhe Mali i Zi, po ashtu, do të angazhohen në promovimin e bashkëpunimit në mes të institucioneve të tyre përkatëse, të cilat janë përgjegjëse për fusha të tilla si: arkivat, bibliotekat, muzetë, letërsinë, muzikën, artet pamore dhe performuese, veprimtaritë botuese, kinematografinë dhe mediat e tjera audiovizuale.
Po ashtu, dy vendet do të nxisin bashkëpunimin e drejtpërdrejtë në fushën e muzikës dhe vallëzimit, shkëmbimit të informacionit dhe ftesave reciproke për muzikë, balet, vallëzim dhe ngjarje të tjera ndërkombëtare të mbajtura në territorin e vendeve të tyre, transmeton Klan Kosova.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.