Lajmet e fundit

Ai theksoi se "Dardanët" në përgjithësi janë ekip më i mirë sesa ai helen.
"Jemi më të mirë besoj duke i shikuar të gjitha pozicionet, natyrisht edhe grekët janë të fortë në disa pozita, por në përgjithësi po them si ekip jemi më të mirë edhe besoj që do të fitojmë sonte "- theksoi ai.
Njohësi i futbollit shtoi se një nga arsyet që sonte kombëtarja e Kosovës mund të arrijë rezultat pozitiv është forma e lojtarëve.
Sadiku theksoi se futbollistët e Kosovës kanë pasur minutazhë më të madhe në ekipet e tyre në kampionatet e ndryshme në Evropë.
"Po ashtu një nga arsyet që mund të arrijmë rezultat pozitiv është forma e lojtarëve. Shumica e futbollistëve kanë zhvilluar një sezon pozitiv me ekipet e tyre, një sezon të gjatë që kanë zhvilluar shumë ndeshje me ekipet e tyre në kampionatet respektive".
"Kështu mendoj që kjo ka shumë rëndësi sepse në të kaluarën, në kohën e Bernard Challandes nuk aktivizoheshin në ekipet e tyre, dhe është ndryshe kur vjen dhe luan tek kombëtarja pas pasur minutazhë në ekipe".
Drejtori i futbollit në Artmotion theksoi se kombëtarës i nevojitet më shumë bashkëpunim mes futbollistëve në mbrojtje.
"Në vijën e mbrojtjes e kemi katërshen e cila duhet të bashkëpunojë shumë më tepër më njëri-tjetrin. Natyrisht që kjo arrihet me ekspericencë me zhvillimin e ndeshjeve. Por, me rëndësi ishte që nuk pranuam gol kundër Qipros dhe të shpresojmë që nuk do të pranojmë gol as kundër Greqisë.".
"Nuk pres të ketë ndryshime në formacion tek Kosova sonte. Sipas informacioneve që kam ndoshta Arbër Zeneli do të luajë në vend të Milot Rashicës, ndërsa reparti defanziv pritet të jetë i njëjti që u paraqit kundër Qipros. Megjithatë duhet thënë që lojtarët nuk kanë shumë ndeshje së bashku tek kombëtarja e Kosovës. Nëse e shikojmë katërshen e fundit Kastrati dhe Kryeziu kanë luajtur shumë pak në partnership me Aliti dhe Rrahmanin. Ndërkaq Aliti, me Rrahmanin ka luajtur më tepër në qendër të mbrojtjes, ndërkaq e pamë kundër Qipros që ka luajtur mbrojtës i majtë".
Arlind Sadiku ndër të tjera e tregoi edhe arsyen se pse Kosovës i kanë munguar rezultatet.
Ai tha se një nga arsyet ishte mungesa e tifozëve në tribuna shkaku i pandemisë.
"Për herë të parë ma shumë se dy vitesh Kosova do ta ketë stadiumin plot me tifozë. Kjo ka qenë edhe një nga arsyet që i kanë munguar rezultatet pozitive ekipit, këtë e kanë pranuar edhe futbollistët që mungesa apo më mirë të themi prezenca e tifozëve është një faktor shumë i rëndësishëm".
"Ndeshja e fundit që Kosova e ka zhvilluar me stadiumin plot ka qenë para dy vitesh kundër Anglisë, në nëntor të vitit 2019-të".
Se Kosova do ta fitojë ndeshjen kundër Greqisë, shprehet optimist edhe trajneri i futbollit Armend Dallku.
Dallku në një intervistë për Klankosova.tv deklaroi se "Dardanët" janë më të kompletuar se kundërshtari i tyre.
"Unë mendoj që Kosova është e denjë ta fitojë këtë ndeshje, duke pasur parasysh edhe përbërjen e ekipit. Mendoj që Kosova ka një ekip ma të kompletuar duke pasur parasysh edhe gjendjen momentale të lojtarëve. Kështu që të gjitha premisat janë që ajo ndeshje të del me rezultat pozitiv për neve duke parasysh edhe që ndeshja do të luhet në "Fadil Vokrri"".
Ai theksoi futbollistët e kanë në dorën e tyre ta bëjnë më të mirën për të nxjerrë një rezultat pozitiv.
"Faktori "fushë" është i rëndësishëm, mirëpo mendoj që nuk është determinant për rezultatin në një ndeshje , këtu e kam parasysh rezultatin maksimal. Unë mendoj që djemtë tanë janë mjaft të pjekur se e kanë treguar në shumë ndeshje që pavarësisht rezultatit jo të mirë, gjatë pjesës së parë ose gjatë një ndeshje në "Fadil Vokrri", kanë ditur t'i menaxhojnë emocionet e veta".
"Tifozët natyrsisht janë aty për ta bërë punën e tyre mirëpo lojtarët janë ata që e kanë në dorë, sepse është një ndeshje shumë e rëndësishme për vazhdimësinë. Ne e kemi në grup edhe një kundërshtarë siç është Qipro, e që është një kundërshtarë i favorshëm për Greqinë dhe jo për neve. Qipro do të mundohet që ta ndalojë ndonjë kundërshtarë dhe ta luajë kartën për grekët sepse siç dihet marrëdhëniet e tyre janë tejet të mira dhe Qipro do të bëj çmos që në njërën nga kundërshtarët të bëj befasi dhe të marrë ndonjë pikë".
Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare dhe Prishtinës shtoi se çelësi i suksesit duhet të jetë durimi.
"Përkundër ndeshjes me Qipron, ekipi duhet të jetë më i durueshëm sepse e pamë në pjesën e parë që ekipi nuk kishte durim sepse dontë të mbërrinte tek rezultati dhe goli e shpesh dilnin nga detyrat e veta lojtarët dhe bënin atë që nuk duhej bërë. Kushtimisht, loja me topa në ajër ishte shumë e vështirë për lojtarët tanë, mesfusha ishte gjithmonë rrugës duke vrapuar. Sa shkonte topi tek mbrojtja kundërshtare, topi dëbohej tek mbrojtja jonë dhe kishim vështirësi në organizimin e lojës. Për mua ekipi ka çaluar në organizim, sidomos në mesfushë sepse duhet të jemi më konkret, duhet të jemi më të durueshëm, sepse këtë ndeshja mund ta përfundojmë edhe me 1:0, nuk ka nevojë për eufori".
"Durimi do të jetë çelësi kryesor i ekipit tonë. Edhe trajneri besoj që e ka pjekurinë e duhur që kundër një ekipi siç është Greqia ta motivojë ekipin dhe në ato momente që do të na paraqiten t'i realizojmë dhe ta përfundojmë ndeshjen në favor tonin".
Armend Dallku ndër të tjera tha se futbollistët e Kosovës nuk duhet të shpërdorojnë rastët që ju vijnë.
"Nuk duhet që të shpërdorojmë raste. Me Qipron i kishim disa rastë të qind për qind. Ato mundësi që do t'i kemi duhet t'i shfrytëzojmë dhe duhet pasur kujdes në vijen e fundit të mbrojtjes. Greqia ka lojtarë shumë kualitativ".
Në katër ndeshjet e para “Dardanët” kanë tre barazime dhe një humbje.
Loja e parë ishte zhvilluar më 6 shtator 2020 në Prishtinë, ku Kosova e kishte humbur ndeshjen me rezultat 1:2, në kuadër të Nations League.
Pas më shumë se një muaj, më 14 tetor në ndeshjen kthyese “Kaltër e verdhët”, arritën ta marrin një barazim si mysafir me rezultat 0:0.
E pas një viti të dyja kombëtaret patën punë sërish me njëri-tjetrin, veçse kësaj here në kualifikimet për kampionatin botëror.
Më 5 shtator 2021, në Prishtinë Kosova arriti përball Greqisë ta nxjerr një barazim 1:1.
E njëjtë luajtën edhe në shtetin helen më 14 nëntor, njofton Klankosova.tv.
Në rast se arrin që Kosova sonte të fitojë përball Greqisë atëherë bilanci do të ishte tërësisht i barabartë mes dyja ekipeve.
Ndeshjen e parë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve ekipi i udhëhequr nga Alain Giresse, e ka fituar me rezultat 2:0 si mysafir i Qipros.