Lajmet e fundit

Korridori Adriatiko-Jonian, i quajtur ndryshe Korridori Blu, është pjesë e Korridorit Mesdhetar prej 1,560 kilometrash, një projekt rajonal e evropian.
Tashmë është gati për të nisur projekti i aksit Milot-Fier, pjesë e Korridorit Blu, njëkohësisht pjesë e European Connectivity Network, i cili lidh Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë me Unazën Mesdhetare që sot ndalet në jug të Kroacisë.
Një takim i posaçëm u organizua sot nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për lansimin e disa prej pjesë të këtij korridori, me pjesëmarrjen e drejtuesve të pushtetit vendor, përfaqësues biznesesh dhe operatorë turistikë. I pranishëm në takim ishte edhe Kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se Korridorit Blu do t’i shërbejë drejtpërdrejti të gjitha zonave që janë përreth tij, po ashtu edhe turizmit dhe bujqësisë.
Kryeministri bëri gjithashtu një prezantim të projekteve të tjera të rëndësishme që pritet të realizohen në Shqipëri.
"Është një vepër që e futëm në kanalin e financimeve në kuadër të procesit të Berlinit, por koha që na mori ai proces në pritje të financimit ishte e gjatë dhe ne vendosëm pastaj të ecim vetë, ashtu sikundër fatmirësisht nuk shkoi e gjitha dëm sepse mundëm të marrim nga WBIF të gjithë asistencën e nevojshme, e cila sot vazhdon edhe me segmentin që për momentin është lënë mënjanë ai i Milot-Murriqan që sapo të përmbyllet konsulenca, do të hyjë dhe ai në procesin e garës dhe do të kthehet dhe ai segment në një kantier dhe kështu do të kemi që nga hyrja në Murriqan dhe deri poshtë në Fier të gjithë boshtin e Korridorit Blu që do t’i shërbejë drejtpërdrejt të gjitha zonave pa diskutim që janë rreth këtij korridori, do t’i shërbejë drejtpërdrejtë turizmit dhe bujqësisë, do t’i shërbejë drejtpërdrejtë një transformimi të mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit tonë dhe do t’i shërbejë edhe vetë lëvizjes në unazën më të madhe që është unaza në fjalë e Mesdheut", ka thënë Rama.