Lajmet e fundit

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Korçës pas u kapën me 51 kg kanabis në makinë.
Në fazën e pestë e operacionit policor të koduar “Restart”, startuar katër muaj më parë, forcat blu kanë bërë arrestimin në flagrancë të D. B., 33 vjeç dhe E. V., 30 vjeç.
Shërbimet e policisë, në bazë të informacioneve të grumbulluara se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim mes tyre, po transportonin një sasi droge, organizuan punën dhe bënë lokalizimin e mjetit tip “Mercedes Benz” me të cilin ata po udhëtonin, në aksin rrugor Korçë-Bilisht.
Drejtuesi i mjetit shtetasi E. V., sapo ka konstatuar se ishte nën ndjekjen e policisë, ka tentuar të largohej me shpejtësi duke goditur edhe mjetet e efektivëve, por u kap menjëherë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, në bagazhin e tij u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 50 pako, me peshë totale 51.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Operacioni pas hetimeve intensive, zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.
Numri i të ndaluarve në kuadër të këtij operacioni ka shkuar në 12 dhe janë sekuestruar 373.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis./TCh