Lajmet e fundit

Gjatë muajit qershor, romani “Jetë në një kuti shkrepësesh” i Fatos Kongolit, botuar kohët e fundit në Itali, iu paraqit publikut radhazi në tre nga qytetet më të mëdha të këtij vendi.
Pas Festivalit të Letërsisë dhe Kulturës në Milano dhe Panairit të përvitshëm të librit në Torino, këto ditë ai u paraqit edhe në Romë, njofton Klan Kosova.
Kësaj here veprimtaria u organizua nga shoqata kulturore italo-shqiptare “Occhio Blu-Anna Cenerini Bova”, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Rubbettino”.
Aktiviteti ku morën pjesë lexues italianë dhe shqiptarë me banim në Itali, u mbajt në një sallë të librarisë “Fandango Incontro”.
Për librin folin Mario Bova, ish-ambasador i Italisë në Shqipëri dhe president i shoqatës “Occio Blu”, si dhe Neritan Ceka, ambasador i Shqipërisë në Itali, shkrimtari Alessandro Leogrande, zëvendës-drejtori i revistës “Lo Straniero”, si dhe Caterina Zukaro, përkthyesja e librit nga shqipja në italisht.
Disa fragmente të romanit u lexuan në ndërkohën e diskutimeve nga publicisti dhe shkrimtari Mauro Geraci.
Pjesëmarrësit që e morën fjalën vlerësuan lart romanin, i gjashti në vargun e librave te këtij autori të përkthyer e të botuar në Itali.
Vlerësuan lart në përgjithësi prozën e Kongolit, si një nga autorët e sotëm më të rëndësishëm ballkanikë e më gjerë.