Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut ka dhënë sqarime lidhur me vendimin e saj për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë, veprim ky që ka nxitur reagime të shumta te shqiptarët.
Sipas vendimit, disa rrugë, sheshe e bulevarde që mbanin emra shqip, janë zëvendësuar me emra të tjerë, përshfirë edhe me figura ish-jugosllave.
Në sqarimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se katër herë ka kërkuar nga Komuna e Tetovës të dorëzojë dokumentacionin e plotë për vendimin e vitit 2007 për emrat e rrugëve, por sipas saj, komuna nuk ka kthyer përgjigje.
Po ashtu, Kushtetuesja në tre raste i ka kërkuar Qeverisë të dorëzojë pëlqimin e nevojshëm, por ai nuk është dorëzuar.
“Si pasojë e kësaj, nga shqyrtimi i dokumentacionit të dorëzuar u konstatua se Komuna e Tetovës nuk ka dorëzuar kërkesë në Qeveri për dhënien e pëlqimit të nevojshëm, as akt me të cilin Qeveria ka dhënë pëlqim për Listën, në përputhje me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për shkak të së cilës Gjykata konstatoi se ky kusht ligjor nuk është përmbushur”, thotë Gjykata Kushtetuese.
Ndaj kësaj kanë reaguar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, duke e cilësuar si skandal moskthimin e përgjigjeve nga Komuna e Tetovës dhe Qeveria.
Nga kjo parti kanë thënë se institucionet e udhëhequra nga VLEN dhe VMRO-DPMNE nuk kanë ndërmarrë as hapin më elementar për mbrojtjen e emrave shqiptarë të rrugëve dhe shesheve të Tetovës. /Klankosova.tv
●●●
NSHKRIMI NGA
NaimS
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.