Nata e djeshme në Festivalin e RTSH iu dedikua këngëve më të bukura ndër vite.
Një ndër to ishte edhe “Pyes lotin”. Ashtu si në vitin 1996 (kur edhe fitoi çmimin e parë), edhe natën e djeshme kënga u këndua nga Elsa Lila, por e risjellë në një variant tjetër, përcjell klankosova.tv.
Një pjesë e këngës ishte shndërruar në rap, pasi Elsa u shoqërua në interpretim edhe nga Capital T.
Mirëpo është kompozitori i këngës Valentin Veizi që prej vitesh jeton në Amerikë ai që ka reaguar në rrjete sociale me një letër
të hapur drejtuar Elsa Lilës dhe e quan denigrim të këngës së kompozuar prej tij.
“Sot kam marrë shumë mesazhe e telefonata nga shokë e miq, dashamirës e simpatizantë të muzikës sime të indinjuar në lidhje të një varianti të këngës "Pyes Lotin" që është kënduar nga Elsa Lila edhe Capital T në natën e tretë Festivali 61 i RTSH-së, duke qenë se s’kam pasur mundësi të ndjek festivalin e kërkoj edhe e dëgjoj në YouTube këngën.
Më bënë përshtypje (indinjuan) dy gjëra:
E para nuk e di kush ka marrë guximin e ka pasur kurajon të ma bëjë "pis" këngën time, mirë që nuk kanë aftësinë profesionale për të "rifreskuar" apo të sjellin ndryshe një këngë, por këta nuk kanë as edukatën edhe as respektin të paktën të kontaktojnë për të marrë lejen e autorit.
Së dyti: Ti (kushdo) mund të rikëndosh një këngë, por nuk ke asnjë të drejtë të ndryshosh e të denigrosh këngën pa lejen e autorit,(kompozitorit). Më lini t’ua them troç edhe njëherë Lilës edhe Capitalit, modeli i këngës qe ju sollët është modeli se si mund të denigrosh, shpërfytyrosh një këngë aq të bukur si kënga "Pyes Lotin". Prandaj do t’i lutem Radio Televizionit Shqiptar ta heq nga çdo lloj transmetimi këtë variant të shëmtuar!”, shkruan Valentin Veizi.
Kënga "Pyes lotin'" është një nga këngët historike të festivaleve. Me këtë krijim Elsa Lila 16 vjeçe në atë kohë ka bërë debutimin e parë dhe ka marrë çmimin e parë në botën e muzikës dhe artit.
Kënga është ende në YouTube në kanalin zyrtar të RTSH-së.
https://www.youtube.com/watch?v=PmEq2_uxgP0
●●●
KKSHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.