Për të mos ra në grackën e provokimeve, Ben Blushi, ngjarjet i zhvendos në të ardhmen e afërt siç e bëri të kundërtën Rexhep Qosja në librin e tij « Pushteti i korruptuar » duke i zhvendosur ngjarjet në të kaluarën, kur fliste për karakterin, atdhedashurinë dhe mentalitetin e shqiptarëve të cilët jo vetëm që e kemi trashëgimi gjenetike ikjen nga atdheu që nga Iliria e deri sot, por e kemi thellë në shpirt, edhe hajninë, spiunazhin, tradhtinë, frikën… Në “Pushteti i korruptuar” Rexhep Qosja është më direkt dhe transparent sepse autorët e së keqes në letërsi dhe në politikë, ua përmend emrat dhe veprat, kurse Ben Blushi i ka ikur emrave të vërtet të personaliteteve politike dhe kulturore, mirëpo është lehtë e deshifrueshme se ato personazhe dhe ngjarje janë të sotme si p.sh., kur e përshkruan revolucionin e shamive e që rrugët e Shqipërisë i ngjajnë Riadit apo Teheranit, ose rasti i doktoreshës që e braktis burrin për të kandiduar si deputete që pastaj të bëhet ministreshë e Shëndetësisë. Nëse sot nuk ndërmarrim asgjë për ndalimin e këtyre fenomeneve dhe traditave jo shqiptare, nesër do të jetë vonë. Për ‘moralistët’, ‘trimat’, ‘patriotët’, laviret e fshehta dhe tradhtarët e atdheut, romani “Komploti” nga Ben Blushi, nuk do të merret si një roman i fuqishëm, sepse ky roman është pasqyrë ku e shohin vetën e tyre pa maska. Ne, jemi popull që më gënjeshtra jemi rritur e më rrena e kemi mësuar historinë tonë kombëtare, e kur Ben Blushi na tregon se ne vetëm disa beteja i kemi fituar e kurrë nuk e kemi dashur luftën, ky realitet do t’i shqetësojë disa që ende i ëndërrojnë gënjeshtrat tona me vite e me shekuj. Për të pasqyruar këtë realitet objektiv më mirë, autori Ben Blushi na paraqet kryepersonazhin Murad Durranin që vendos t’i shpalli luftë Serbisë dhe Rusisë e që Kosovën, Malin e Zi dhe Çamërinë t’ia bashkonte Shqipërisë. Lajmi për një luftë të re, shkaktoi që shqiptarët të vendosin të shpërngulën në katër anët e botës, kurse refugjatët arabë regjistrohen të shkojnë në luftë vullnetarisht, sepse në pasuritë dhe bukuritë e tokave shqiptare të krijonin Afganistanin e Ri. Ben Blushi e shtron pyetjen hipotetike sikur shqiptarët të kishin bërë luftëra, historia e tyre nuk do të ishte kjo që e kemi tani: “Sepse nëse do kishin bërë luftë dhe do të kishin pushtuar vende të tjera, ne do të ishim një vend më i madh, më i fortë, më i pasur, dhe më i mirë se ç’jemi…“ (f. 30). Ky konkludim që zhvillohet përmes dialogut ne mes Raul Fico dhe Serafin Pagjinit është shumë real, mirëpo ne shqiptarët jemi të konstruktuar gjenetikisht se vetëm më humanizëm fitohet liria, e që në fakt e vrasim vëllain tonë për një rrip toke.