Ekspertja e Kombeve të Bashkuara, Francesca Albanese u ka bërë thirrje dhjetëra kompanive shumëkombëshe të ndalojnë së bëri biznes me Izraelin, duke i paralajmëruar se rrezikojnë të jenë bashkëfajtore në krimet e luftës në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Albanese, duke paraqitur raportin e saj në këshillin e të drejtave të njeriut të OKB-së, e përshkroi atë që ajo e quajti "një ekonomi gjenocidi" në të cilën konflikti me Hamasin ofroi një terren testimi, pa llogaridhënie ose mbikëqyrje, për armë dhe teknologji të reja, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Izraeli e ka hedhur poshtë raportin e saj si "të pabazuar", duke thënë se ai do të "shtohej në koshin e plehrave të historisë".
Ekspertët e OKB-së, ose raportuesit specialë, janë të pavarur nga OKB-ja, por të emëruar prej saj për të këshilluar mbi çështjet e të drejtave të njeriut.
Në këtë raport, Albanese përmend kompanitë nga të cilat ajo thotë se përfitojnë dhe për këtë arsye janë bashkëpunëtore në krimet e luftës në Gaza.
Lista e saj përfshin prodhuesin e armëve Lockheed Martin për shitjen e armëve dhe firmat teknologjike Alphabet, IBM, Microsoft dhe Amazon për ofrimin e teknologjisë që i lejon Izraelit të gjurmojë dhe shënjestrojë palestinezët.
Ajo gjithashtu rendit Caterpillar, Hyundai dhe Volvo, të cilat raporti i saj pretendon se kanë furnizuar automjete të përdorura për prishjen e shtëpive dhe rrafshimin e komuniteteve të bombarduara.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.