Pavarësisht se përfshiu 27 lojtarë në listën e madhe për Kampionatin Europian, trajneri Gianni De Biasi dhe stafi i tij vazhdojnë të punojnë vetëm me 20 futbollistë.
Te enjten kontingjentit të Kombëtares do ti bashkohen edhe katër futbollistë. Bëhet fjalë për tre lojtarë që militojnë në Superligën zvicerane, Taulant Xhaka dhe Naser Aliji të Basel dhe armando Sadiku i Vaduz. Atyre do ti bashkohet edhe Ansi Agolli, i angazhuar me skuadrën e tij Qarabag, në finalen e Kupës së Azerbajxhanit.
Për t’u theksuar fakti se në periudhën e grumbullimit në Austri dhe përpara dorëzimit të listës zyrtare me 23 emrat që do të ketë në dispozicion gjatë Euro 2016, trajneri De Biasi nuk do të punojë asnjëherë me grupin e plotë.
Të premten, më datë 27 Maj nga rezidenca austriake në Bad Waltersdorf do të largohej Ledian Memushaj. Mesfushori, që gjatë seancave të masazheve i ka ndjekur ndeshjet e fazës play off të Serisë B falë Digitalb Kudo do të luajë të dielën, më datë 29 me Pescaran, drejt ëndrrës për t’u ngjitur në elitën e futbollit italian, shkruan SuperSport.al.
Afrimet në skuadër do të vazhdojnë në datën 29 Maj, me dy lojtarë të tjerë që aktivizohen në futbollin zviceran, mesfushori Burim Kukeli i Zurich dhe mbrojtësi i Lugano-s, Frédérik Veseli.
Ndërkohë, në datën 30 Maj, grupit do ti bashkohet mesfushori i PAOK-ut të Selanikut, Ergys Kaçe. Në të njëjtën ditë, Kombëtarja duhet të ketë dorëzuar pranë UEFA-s edhe listën përfundimtare me 23 kuqezinjtë që De Biasi do të përzgjedhë për pjesëmarrjen historike të Shqipërisë në një turne madhor.