Lajmet e fundit

Kombëtarja Kuqezi i nisi thuajse e plotë përgatitjet për ndeshjen me Serbinë. Organikës së përfaqësueses i mungojnë vetëm Hamdi Salihi dhe Orges Shehi, të cilit kanë qenë të impenjuar në kampionat në takimin Laçi-Skënderbeu dhe do t’i bashkohen skuadrës vetëm në seancën stërvitore të së Martës. Ndërkohë pranë skuadrës ka ardhur Herolind Shala, sikurse Ergys Kaçe i Paok-ut apo mbrojtësi i Napolit, Elseid Hysaj, dyshja e Rijekës Odise Roshi dhe Bekim Balaj, të cilët megjithëse kanë shënuar në fundjavë, morën edhe disa kritika miqësore nga Gianni De Biasi sapo janë paraqitur në fushën e kompleksit “Tropikal” në Durrës. Herolind Shala dhe Ergys Kaçe së bashku me Shkëlzen Gashin, Elseid Hysajn dhe Amir Abrashin zhvilluan stërvitje të diferencuar me ushtrime shkrydhëse pas impenjimeve të një dite më parë me skuadrat respektive. Trajneri Gianni De Biasi e ndau skuadrën në dy grupe, por ra në sy fakti që Lorik Cana dhe Burim Kukeli, që sapo janë riaftësuar nga dëmtimet që kanë pësuar me Nantën dhe Zyrihun, për momentin nuk konsiderohen pjesë e formacionit titullar që do të hidhet në fushë ndaj Serbisë. Për të qenë i përgatitur për më të keqen trajneri italian provoi në qendër të mbrojtjes Arlind Ajetin me Berat Gjimshitin.