Kombëtarja Shqiptare qëndroi pushim gjatë paradites së të enjtes, pasi seanca u anulua nga trajneri Gianni De Biasi.
Vendimi i marrë pasditen e së mërkurës lidhet me faktin që skuadra të shplodhet, në prag të debutimit të së shtunës në Kampionatin Europian, në sfidën me Zvicrën. Stafi teknik zgjodhi që lojtarët të pushojnë pas stërvitjes me ritme shumë të larta, nga grumbullimi në Austri, për të vazhduar me përgatitjet në Itali dhe tashmë në Francë. Pushimi është kërkuar edhe nga vetë lojtarët, për të rikuperuar forcat.
12 orë relaks, cilësohen si një mënyrë e mirë që kuqezinjtë të rikuperojnë energjitë përpara ndeshjes me Zvicrën në Lens. Pas përgatitjeve prej afro dy javësh me intensitet të lartë, forma fizike e futbollistëve duket se e ka bindur stafin teknik, që për të evituar ngarkesa të panevojshme në stërvitje i la lojtarët të pushojnë, shkruan SuperSport.al.
Përfaqësuesja do ti kthehet përgatitjeve pasditen e sotme, prej orës 17:30. Për faktin se dueli me Zvicrën është fare pranë, trajneri De Biasi dhe stafi i tij do të përqendrohen te ushtrimet taktike. Në ndeshjen e parë në një turne madhor, gjithçka do të jetë e studiuar deri në detaje, për të bërë të mundur që Shqipëria të paraqitet në mënyrën më të mirë të mundshme në takimin me historinë.