Lajmet e fundit

Me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, Ambasada e Republikës Çeke në bashkëpunim me zyrën e BE-së në Kosovë do të bëjnë hapjen e ekspozitës me fotografi “Kohërat po ndryshojnë" .
Ekspozita është organizuar në dritën e ngjarjeve Havel@80 që mbahen në mbarë botën në shenjë të përkujtimit të trashëgimisë së Václav Havel-it dhe përvjetorit të 80-të të ditëlindjes së tij në vitin 2016.
Havel, poeti i demokracisë së shekullit 20-të, u dha shpresë jo vetëm miliona njerëzve në Evropën Lindore, por edhe popujve në tërë botën të cilët besojnë se të drejtat e njeriut janë universale.
Në një njoftim për media të Qendrës Informative dhe Kulturore të BE-së bëhet e ditur se ekspozita me fotografi dokumentuese në bardhë e zi prezanton Havelin për qytetarët e Kosovës si një disident, president dhe një qytetar, dhe ilustron momente të sinqerta nga jeta e tij jozyrtare dhe intime dhe prapa skenave derisa Haveli ishte president.
Fotografi Oldřich Škácha, i famshëm për fotografitë e tij bardhë e zi të disidencës çeke dhe të Vaclav Havelit në veçanti, ka mbajtur marrëdhënie të afërta me Havelin prej vitit 1960 deri kah fundi i jetës së Havelit.
Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 31 maj në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë, transmeton Klan Kosova.