Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei tha se kërkesat e SHBA-së që Teherani të përmbahet nga pasurimi i uraniumit janë "të tepërta dhe të egra" duke shprehur dyshime nëse bisedimet bërthamore do të çojnë në një marrëveshje.
"Unë nuk mendoj se bisedimet bërthamore me SHBA-në do të sjellin rezultate. Nuk e di se çfarë do të ndodhë", tha Khamenei, duke shtuar se Uashingtoni duhet të përmbahet nga kërkesa të egra në negociata.
Pavarësisht pritshmërive që raundi i pestë i negociatave mund të zhvillohet gjatë fundjavës në Romë, bisedimet bërthamore janë në terren të lëkundur pasi Irani dhe SHBA janë përplasur për çështjen e pasurimit bërthamor, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Zëvendësministri i Jashtëm Majid Takht-Ravanchi tha të hënën se bisedimet do të dështonin nëse Uashingtoni këmbëngul që Teherani të përmbahet nga pasurimi i brendshëm i uraniumit, i cili sipas SHBA-ve është një rrugë e mundshme për zhvillimin e bombave bërthamore.Teherani thotë se programi i tij i energjisë bërthamore ka qëllime krejtësisht paqësore.
Më herët të martën, një tjetër zëvendësministër i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi tha se Teherani kishte marrë dhe po shqyrtonte një propozim nga Shtetet e Bashkuara. Javën e kaluar, presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se Teherani duhet "të lëvizë shpejt ose diçka e keqe do të ndodhë".
Presidenti i SHBA-së e ka paralajmëruar vazhdimisht Iranin se do të bombardohej dhe do të përballej me sanksione të rënda nëse nuk arrinte një kompromis për të zgjidhur programin e tij të diskutueshëm bërthamor.
Gjatë mandatit të tij të parë, 2017-21 si president, Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje e vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore që vendosi kufizime të rrepta në aktivitetet e pasurimit të Teheranit në këmbim të lehtësimit nga sanksionet ndërkombëtare.
Trump, i cili e quajti marrëveshjen e vitit 2015 të njëanshme në favor të Iranit, gjithashtu rivendosi sanksione gjithëpërfshirëse të SHBA-së ndaj Iranit. Republika Islamike u përgjigj duke përshkallëzuar pasurimin.
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.