KFOR ka reaguar ndaj pretendimeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale se “NATO ka lëshuar raketa nga Camp Bondsteel apo objekte të tjera të NATO-s në Kosovë drejt Iranit”, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Një zyrtar i NATO-s ka thënë për Klankosova.tv se ky pretendim "është i rremë" dhe se NATO e hedh poshtë plotësisht një gjë të tillë.
“Ky pretendim është i rremë dhe ne e hedhim poshtë plotësisht atë”, ka thënë ky zyrtar i NATO-s.
Ai shtoi se Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, tashmë e ka bërë të qartë se NATO-ja si organizatë “nuk është e përfshirë në fushatën aktuale ajrore kundër regjimit iranian”.
Zyrtari i NATO-s tha se KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, bazuar në Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së; në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e sundimit të ligjit të Bashkimi Evropian, EULEX, në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.
“Ky është edhe fokusi i misionit tonë”, u shpreh më tej ai.
I njëjti tha për Klankosova.tv se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të luajnë një rol kyç në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal, përfshirë edhe brenda kornizës së misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR”.
“Shtetet e Bashkuara kanë pothuajse 600 trupa të dislokuara në kuadër të KFOR-it. Ato udhëheqin Komandën Rajonale Lindje të misionit. Kjo komandë kontribuon në aktivitetet e përditshme të KFOR-it në shumë mënyra të ndryshme, përfshirë patrullimet, stërvitjet, angazhimet me përfaqësues të të gjitha komuniteteve lokale, si dhe mbështetjen për projekte të rindërtimit dhe zhvillimit ekonomik”, potencoi ky zyrtar i NATO-s. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.