Lajmet e fundit

Një muaj përpara sfidës me Portugalinë, Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur shitjen e biletave.
Me njoftimin e publikuar në faqen zyrtare hapet faza e parë e procesit “online”.
Pavarësisht ecurisë së jashtëzakonshme të Kombëtares në kualifikueset e Euro 2016 dhe faktit se kundërshtar është një prej skuadrave më të forta në Europë, dy elementë që rritin dukshëm interesimin e tifozëve, FSHF vijon politikën e çmimeve popullore.
Një mënyrë për të siguruar mbështetje maksimale në “Elbasan Arena” për ekipin e Gianni De Biasit, drejt ëndrrës për pjesëmarrjen e parë në histori, në një eveniment madhor.
Çmimet e biletave nisin nga njëmijë lekë të reja për tribunat C2 dhe G2, të cilat ndodhen mbrapa portave. Vendet në tribunat C1, C3 dhe G1 kushtojnë 1.500 lekë, ndërsa çmimi shkon në dymijë lekë të reja për tribunat D dhe F. Ulëset në tribunën E, e njohur ndryshe edhe si karshia kushtojnë tremijë lekë të reja.
Duke u spostuar në tribunën qëndrore, Federata e Futbollit ka përcaktuar tre lloj çmimesh për biletat, nga 6 mijë lekë të reja për tribunat B1 dhe B5, në 8 mijë për katër sektorë të tjerë dhe 10 mijë lekë për tribunat A2, A3 dhe B3, të cilat rrethojnë zonën VIP.
Për të mënjanuar abuzuesit dhe shitjen në tregun e zi, me çmim disa herë më të lartë, FSHF theksonte se biletat kanë elementë sigurie të nivelit më të lart.
Shqipëria luan përballë Portugalisë, në datën 7 shtator, prej orës 20:45, vetëm tre ditë pas trasfertës vendimtare në fushën e Danimarkës./Supersport.al.