Lajmet e fundit

Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala i ka zbuluar mungesat e “Dardanëve” për ndeshjet e shtatorit.
Shala në konferencën e mbajtur për media, i përmendi tri mungesa, tek të cilat nuk do të mundë të llogarisë selektori Franco Foda, ndonëse planifikonte t’i kishte ata në dispozicion për ndeshjet me Rumaninë dhe me Qipron, me të cilat Verdhekaltrit do ta nisin kampanjën e re në Ligën e Kombeve.
“Mirlind Kryeziu ka luajtur dje me skuadrën e Zurichut, por për shkak të shqetësimeve shëndetësore që i janë shfaqur mbrëmë, do të mungojë në këtë grumbullim. Për arsye shëndetësore në këtë grumbullim, edhe pse ishin në listën fillestare të përzgjedhësit Foda, do të mungojnë Ismet Lushaku e Bernard Berisha”, deklaroi Shala.
Një pjesë e futbollistëve do të grumbullohen sot për t’u përgatitur për ndeshjet e shtatorit, derisa pjesa tjetër do të bashkangjiten nesër.
Kombëtarja e udhëhequr nga trajneri gjerman më 6 shtator do të ballafaqohet në “Fadil Vokrri” me Rumaninë derisa tri ditë më pas do të jetë mysafire e Qipron.
Kosova gjendet në grupin e dytë të Ligës C, bashkë me Rumaninë, Qipron dhe Lituaninë.