Lajmet e fundit

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, sot, mbajti mbledhjen e radhës nën drejtimin e presidentit, Agim Ademi, ku diskutoi shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës.
KE-ja shqyrtoi përgatitjet për organizimin e rrethit elitë të garave për Kombëtaren U17 të femrave, ku veç Kosovës janë pjesëmarrëse edhe Gjermania, Sllovenia dhe Austria, e që ky eveniment me rëndësi i është besuar FFK-së nga UEFA.
Me këtë rast u konstatua se të gjitha organet dhe personat përgjegjës janë duke i marrë të gjitha veprimet e nevojshme për pritjen dhe akomodimin e ekipeve si dhe organizimin e ndeshjeve.
KE-ja analizoi edhe rrjedhën e garave në të gjitha rangjet, duke konstatuar se ato po rrjedhin normal dhe me një rivalitet sportiv e të baraspeshuar, shkruan FFK-ja, transmeton Klankosova.tv.
“KE-ja mori vendim për suspendimin për 6 muaj të z. Eroll Salihu, drejtor për çështje sportive dhe këshilltar senior ligjor, pasi që i njëjti ka bërë shkelje të Kodit të Etikës si dhe ka shkelur urdhëresën e FFK-së, ku u ndalohet zyrtarëve të FFK-së të deklarohen për media pa marrjen e pëlqimit nga drejtuesit e FFK-së. KE-ja shqyrtoi edhe parashtresa dhe ankesa drejtuar këtij organi”, thuhet në njoftimin e tyre.