Katër të plagosurit nga përleshja e armatosur të enjten pasdite në Podujevë, po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla, e ka konfirmuar për Klan Kosovqn se pacientët janë transferuar në disa klinika për trajtim të mëtutjeshëm.
Pacienti A. Islami, i cili ishte kalimtar i rastit, në momentin që u plagos, është dërguar në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, gjatë së cilës predha është larguar me sukses dhe është realizuar trajtimi kirurgjikal i të gjitha dëmtimeve të evidentuara.
“Aktualisht, pacienti ndodhet në gjendje stabile, me parametra të mirë shëndetësorë. Ai do të vazhdojë trajtimin dhe monitorimin pas operacionit, në përputhje me protokollet e Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale.” – ka thënë Qyqalla për Klan Kosovën.
Ndërsa tre të tjerët, që ishin personat kryesorë të përfshirë në përleshje, po trajtohen në klinika të ndryshme.
Gazetarja Arbreshë Uka mëson se 36-vjeçari nga familja Zejnullahu është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, ndërsa 32-vjeçari ndodhet në Mjekimin Intensiv Qendror.
Ky i fundit është operuar dje, pas plagës që ka marrë në kokë gjatë konfliktit.
Edhe Agim Xhemajli po trajtohet në QKUK dhe i njëjti është dërguar në Kirurgjinë Torakale, për trajtimin e mëtejmë. /Klankosova.tv
https://klankosova.tv/perleshja-e-armatosur-mes-dajes-e-nipit-ne-llap-policia-u-gjen-arme-e-qindra-fisheke-ne-shtepi/
●●●
AHSHKRIMI NGA
Alberta Hyseni
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.