Lajmet e fundit

Shefi i repartit të infektologjisë në Gjilan, Xhevat Demiri ka thënë se në këtë klinikë, janë shtrirë katër raste të prekura nga epidemia e fruthit.
Demiri ka theksuar se pacientët të cilët janë paraqitur në repartin e infektologjisë në Gjilan nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore, e ndërsa pritet përmirësim, ky repart ka mungesë të stafit për trajtimin e tyre.
''Gjendja shëndetësore e këtyre pacientëve nuk është e mirë kurse reparti ka nevojë për përforcim të kuadrit të mesëm'', është shprehur ai për rajonipress, transmeton Klan Kosova.
Tutje infektologu Xhevat Demiri duke potencuar se këto janë raste e para që kanë pranuar deri tani ka shtuar se dy nga pacientët me epidemi të fruthit janë fëmijë nga Kaqaniku ndërsa dy të tjerë të moshës madhore nga Hogoshti dhe Gjilani.
Ndërsa në një prononcim të tij për klankosova.tv, Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Hamdi Ramadani, ka thënë se deri më tani janë trajtuar mbi 60 raste të pacientëve të prekur nga epidemia e fruthit.
Ramadani tutje ka shtuar se vetëm deri në pasditen e së martës, në Klinikën Infektive në QKUK, janë pranuar 11 raste të freskëta të prekura nga kjo epidemi, transmeton Klan Kosova.
Ai ka sqaruar po ashtu se rastet e prekura nga kjo sëmundje epidemike janë nga vendet e ndryshme të Kosovës, teksa në prononcimin e tij për klankosova.tv tha se të infektuarit janë kryesisht fëmijë parashkollor.
Infektologu Ramadani ka thënë se nga kjo epidemi nuk ka vend për panik por ai ka apeluar tek të gjithë qytetarët e Kosovës, të vaksinohen dhe të imunizohen pasi sipas tij këto janë faktorët kryesor dhe arma e vetme që mund ta luftojnë epideminë e fruthit.
Deri më tani dy persona kanë humbur jetën si pasojë e fruthit, transmeton Klan Kosova.