Federata e Karatesë së Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së shpejti do të përballen në gjykatë.
Ballafaqimi i tyre në gjykatore do të vijë pasi Federata e ka paditur Ministrinë që udhëhiqet nga Hajrulla Çeku për vendimin i cili pezulloi licencën e kësaj federate.
Përmes kësaj padie, kjo federatë kërkon anulimin e këtij vendimi, të cilin e konsideron të kundërligjshëm, raporton Kiks Kosova.
Avokati Florim Shefqeti ka vlerësuar se vendimi i Ministrisë për pezullimin e licencës së FKK-së është skandaloz dhe i paekzekutueshëm.
Bazuar në statutin e kësaj Federate, Shefqeti pohon se Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor ka qenë i ligjshëm.
Konstatimi i zyrtares së MKRS-së, Afërdita Fazlija se është shkelur statuti i FKK-së, sipas Shefqetit, është interpretim i gabuar dhe përbën tejkalim të kompetencave.
Nga Federata e Karatesë dyshojnë se pezullimi i licencës është bërë me planifikim, i cili përfshinte edhe mosaprovimin e raportit financiar për tremujorin e tretë të vitit 2023.
KIKS Kosova ka më shumë se dy javë që ka kontaktuar me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit lidhur me këtë çështje, por nuk ka pranuar përgjigje. /Klankosova.tv
https://youtu.be/4fE9oU_i4bk
●●●
FHSHKRIMI NGA
Florentina Hoti
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.