Lajmet e fundit

Kandidati për president të Polonisë dhe eurodeputeti i krahut ekstrem të djathtë, Grzegorz Braun, ka shkaktuar një tjetër incident të rëndë politik, pasi dogji flamurin e Bashkimit Evropian brenda godinës së Ministrisë së Industrisë në Katowice. Para se ta digjte flamurin, ai fshiu këpucët mbi të, në një akt simbolik fyes ndaj BE-së.
Incidenti vjen vetëm një ditë pasi Parlamenti Evropian i hoqi Braun-it imunitetin, duke i hapur rrugë ndjekjes penale nga autoritetet polake për disa veprime të mëparshme.
Në dhjetor të vitit 2023, Braun përdori një aparat për shuarjen e zjarrit për të fikur qirinjtë e Hanukës në parlamentin polak, si protestë kundër kremtimit të festave hebraike në institucionet shtetërore. Ai pretendoi se Hanuka nuk është një festë fetare, por një ngjarje historike e një shteti të huaj, dhe kritikoi organizatën Chabad-Lubavitch që organizon këtë ngjarje çdo vit në parlament.