Lajmet e fundit

Fakti që Samiti BE-Ballkani Perëndimor po mbahet në rajon për herë të parë është një sinjal i fortë afrimi, tha kancelari austriak Karl Nehammer, me rastin e takimit të nesërm në Tiranë.
Nehamer, i cili do të marrë pjesë në samit, shprehu shpresën se gjatë këtij muaji do të dërgohet një sinjal shtesë i fortë me dhënien e statusit kandidat Bosnje-Hercegovinës.
"Afrimi dhe lidhja e ngushtë me vendet e Ballkanit Perëndimor është historikisht domethënëse për Austrinë. Është gjithashtu e rëndësishme për sigurinë e të gjithë Evropës. Veçanërisht në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar, ne duhet të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë", tha ai, njofton Euronews.al, përcjell Klankosova.tv
Samiti në Tiranë është i pari i këtij lloji që mbahet në rajon. Tema kryesore do të jetë mënyra si të kapërcehen bashkërisht pasojat e luftës në Ukrainë, procesi i zgjerimit të BE-së, forcimi i sigurisë, por edhe lufta kundër migrimit të paligjshëm.
Në samit do të marrin pjesë krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së, si dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.