Lajmet e fundit

Massimiliano Allegri kërkon gjithmonë ekuilibër dhe do të ishte sipërfaqësore të flitej për një Juve të pamundur për t`u mposhtur pas fitores së bukur ndaj Cagliarit, pasi është fundosur në kritika pas humbjes në San Siro.
Skuadra sarde ishte kundërshtari i duhur për t`u ringritur por e rëndësishme për një skuadër që në ADN e saj ka fitoren, është të dijë të reagojë pas disfatave. Për këtë arsye si Juvja e Contes, ashtu dhe ajo e Allegrit nuk janë përballur kurrë me një seri të gjatë negative.
Mesazhi i Allegrit që deklaroi në Konferencë shtypi para sfidës së të mërkurës se ndeshja me Interin ishte më e shëmtuara taktikisht në 30 vitet e fundit për Juventusin ishte i qartë për një grup lojtarësh të nivelit të lartë. Ndaj Cagliarit u shfaq një tjetër Juve, agresive dhe që nuk e lejoi kundërshtarin të gjuante portën.
Pjanic më në fund ka gjetur vendin e tij, i tërhequr pas në rolin e rregjisorit dukshëm ka probleme por ndaj Cagliarit luajti më i avancuar, më i lirë për të lëvizur në fushë dhe rezultati ishte i dukshëm, një gol, një asist dhe volum në qarkullim e pasime. Spikati dhe Alex Sandro që po përgënjeshtron skeptikët që e konsideruan të ekzagjeruar shpenzimin e 26 milionë eurove për të. Forcë fizike impresionuese dhe një e majtë potente dhe precize. Kur është në formë është e vështirë ta ndalësh .
Dybala ndërkohë mbetet në kërkim të golit. Të mos shënosh prej një muaji në të cilin janë luajtur 6 ndeshje për një sulmues mund të jetë shumë, por jo për të, pasi nuk mund të flitet për krizë apo vështirësi për një lojtar si Dybala që edhe ndaj Cagliarit ishte vendimtar në manovrën sulmuese
Ndërkohë edhe në pak minutat që i ka rezervuar deri më tani Allegri edhe Pjaca jep ndjesinë e një lojtari të vecantë. Juventus ka ditur si të ringrihet menjëherë pas Interit. Reagimi është ai i duhuri. /supersport.al