Lajmet e fundit

Ashtu si edhe sezonin e kaluar Juventusi arrin të marrë fitoren në “Juventus Stadium” përballë skuadrës së Venturës në minutat shtesë me të njëjtin rezultat 2-1.
Një krosim i Alex Sandros u devijua nga Cuadrado drejt rrjetës për t’i dhënë fitoren ekipit të Allegrit. Një gol in ekstremis që çliroi nga ankthi presidentin Agnelli, i cili nxitoi të largohej nga stadiumi duke shfryrë pas një tensioni të akumuluar për më shumë se 90 minuta, shkruan Supersport.
Pa u mbyllur 20 minuta lojë, Juventusi kaloi në avantazh me Paul Pogba, i cili kontrolli një pasim të Cuadrados brenda zonës, duke mos i dhënë asnjë shans portierit Padelli. Në të 30-ën, një ish – Juventin, Fabio Kuagliarela, për pak sa nuk shënoi golin e barazimit, që gjithsesi nuk do të vononte shumë, edhe pse Torino iu drejtua dhomave të zhveshjes në disavantazh të një goli.
5 minuta nga starti i fraksionit të dytë Cesare Bovo përfitoi nga një top i mbetur në zonë, duke e dërguar topin në rrjetë. Fantazmat e një tjetër rezultati të papranueshëm u shfaqën për minuta të tëra në “Juventus Stadium”, për të ardhur më pas në minutën e katërt shtesë, kur Cuadrado, e gjeti një mënyrë për ta kaluar topin përtej vijës fatale.
Entuziazmi i tifozëve pushton “Juventus Stadium” ndërsa torinezët janë tepër të dëshpëruar për një tjetër humbje ndoshta të pamerituar ndaj rivalë ndërqytetas.