Lajmet e fundit

Problemet shëndetësore të Justin Timberlake me kordat e zërit po vazhdojnë.
Këngëtari është detyruar që të shtyjë edhe tri koncerte të tjera, në kuadër të turneut të tij “Man of the Woods”.
Timberlake ka shtyrë koncertin e paraparë që të mbahej më 29 nëntor në Talking Stick Resort Arena në Phoenix, ashtu sikur edhe koncertin e planifikuar më 1 dhjetor në T-Mobile Arena në Las Vegas dhe koncertin e 3 dhjetorit në Save Mart Center në Kaliforni.
Këngëtari i shumë hiteve kishte shtyrë edhe koncertin që ishte planifikuar të mbahej mbrëmë (27 nëntor) në Staples Center në Los Angeles, transmeton Klan Kosova.
Por lajmi i mirë është se të gjitha koncerte që janë shtyrë do të mbahen në një datë tjetër.
Organizatorët e të gjitha koncerteve kanë njoftuar të gjithë ata që kanë blerë bileta që t’i ruajnë ato, për koncertet që do të caktohen në një datë të re.
Timberlake, që ka probleme të theksuara me kordat zanore, gjatë gjithë muajit të kaluar, është detyruar që të anulojë dhe shtyjë disa koncerte dhe performanca.
Koncerti i radhës i Justin Timberlake pritet të mbahet më 5 dhjetor në Oakland të Kalifornisë – ndonëse mbetet të shihet nëse edhe ky koncert do të shtyhet ose jo.