Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Speciale, zhvilloi sot një aksion në Kaçanik, i cili rezultoi me arrestimin e katër personave të dyshuar si pjesë e grupit “Rinia Islame në Kaçanik”, që dyshohet për shpërndarje të thirrjeve me motive fetare.
Në mesin e të ndaluarve ishte edhe Labinot Murati, vëllai i Rilind Muratit – njëri nga të dyshuarit për vrasjen e rreshterit të Policisë, Muhamed Lika. Labinot Murati është liruar pas intervistimit.
Në një përgjigje ekskluzive për Klan Kosovën, ai konfirmoi se ishte arrestuar dhe më pas u lirua, por nuk pranoi të jepte më shumë detaje.
“S’po du me folë. Jam arrestu e jam liru sot. Jam intervistu – s’po du me folë ma shumë”, deklaroi shkurt Murati.
Të njëjtën gjë e konfirmoi edhe babai i tij, Ibush Murati, zyrtar policor në Kaçanik, pas lirimit të të birit.
“Ma kanë arrestu edhe djalin tjetër sot. Por para pak minutash më thirri me më tregu që e kanë lëshu. Veç është intervistu,” tha ai për Klan Kosovën.
Përveç Labinot Muratit, edhe tre të dyshuarit e tjerë që u arrestuan tashmë janë liruar.
Klankosova.tv ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale dhe në Policinë e Kosovës për të marrë një konfirmim zyrtar, por akoma nuk kanë kthyer përgjigje.
Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.
https://klankosova.tv/aksioni-i-prokurorise-speciale-shoqerohen-4-persona-dyshohet-se-ishin-pjese-e-grupit-rinia-islame-ne-kacanik/
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.