Lajmet e fundit
Ikona e muzikës së lehtë në Kosovë, Liliana Çavolli, do të kujtohet për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në kultivimin e këngës moderne shqipe.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ngushëlloi familjen Çavolli dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për ndarjen nga jeta të këngëtares Liliana Çavolli. Në telegramin drejtuar familjes thuhet:
E nderuara familja Çavolli,
Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të zonjës së muzikës së lehtë, Liliana Çavolli.
E ndaj me ju, e nderuara familje këtë dhimbje të madhe për humbjen e njeriut më të dashur, duke e kujtuar përherë punën dhe angazhimin e palodhshëm të zonjës Liliana Çavolli për kulturën dhe artin, në veçanti për kulturën muzikore në Kosovë.
Ikona e muzikës së lehtë në Kosovë, Liliana Çavolli, do të kujtohet për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në kultivimin e këngës moderne shqipe.
Zonja Çavolli, edhe pse karrierën e zhvilloi në një kohë shumë të vështirë, kontributi i saj për historinë e muzikës moderne shqiptare ishte i përmasave evropiane dhe puna e saj artistike do te kujtohet me shumë respekt nder gjenerata.
Ndarja nga jeta e zonjës Liliana Çavolli, është humbje e madhe për familjen, për miqtë, për bashkëpunëtorët dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe te punojnë me ikonën e muzikës së lehtë në Kosovë.
Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në emër të Institucioneve dhe në emrin tim personal, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta.