Lajmet e fundit

Shkarkimi nga puna i Besnik Hasit, pak muaj pasi trajneri ishte emëruar në drejtimin e Legias së Varshavës, pritet t’i kushtojë shumë shtrenjtë klubit polak, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
Sipas mediave në Poloni, drejtuesit e klubit kishin vënë një klauzolë me një zhdëmtim të majmë në rast shkarkimi nga klubi apo prishje të njëanshme të kontratës nga trajneri. Në rastin konkret, do të jetë Hasi ai që do të përfitojë nga kjo klauzolë, shkruan Panorama.
Portali “sport.se.pl” ka raportuar sot se Hasi duket se u kishte paraprirë luhatjeve të drejtuesve polakë dhe për këtë rrjedhojë kishte insistuar për vendosjen e një klauzole të tillë.
Nga ana tjetër, askush te Legia nuk e parashikonte që trajneri shqiptar do të largohej nga detyra pas vetëm tre muajsh në drejtim.
Burimet e këtij portali, gazetarë që ndjekin vazhdimisht ngjarjet në klub, flasin për një shifër nga 1 milion euro deri në 1,5 milionë euro që do t’i paguhet trajnerit shqiptar si rrjedhojë e kësaj klauzole.