Lajmet e fundit

Çifti, Laura Scheel dhe Matt Grodsky, u takuan fillimisht kur ishin shumë të vegjël, nxënës në parashkollore në Phoenix.
Ishin miq shumë të mirë, ta pandashëm, aq sa edhe orët e gjumit i kalonin pranë njëri tjetrit.
Sot, për Matt një nga kujtimet e tij më të hershme, që ai mban mend është kur ai është ngritur para të gjithë klasës dhe ka deklaruar dashurinë për shoqen e tij të ngushtë, Laura, transmeton Klan Kosova.
Edhe Laura ka thënë për HuffPost se e mban mend se sa miq të mirë kanë qenë.
“Bënim pothuajse çdo gjë së bashku. Koha që ne kalonim bashkë, ishte e mrekullueshme”.
E Matt kujton se si përpiqej ta impresiononte Lauran qysh kur ishte shumë i vogël.
“Lion King ishte kryetema e të gjitha muhabeteve mes fëmijëve. Ne kalonim shumicën e kohës duke përmendur citate nga filmi. Kujtoj se si vazhdimisht provoja ta impresionoja që të merrja vëmendjen e saj”, ka thënë ai për HuffPost.
Miqësia e tyre u zbeh kur të dy përfunduan në shkolla të ndryshme fillore duke humbur kështu edhe kontaktin.
Ata u ritakuan vite më vonë, kur në vitin e parë të shkollës së tyre të mesme, Laura pa emrin e Matt në telefonin e një miku të tyre të përbashkët.
“Nuk isha e sigurt që të dilja me të. Por ai më pas më shkruajti dhe gjithçka nisi kështu”.
Dy javë më vonë, ata ishin çift.
Të dy ishin në shkolla të ndryshme të mesme, e studimet i ndoqën në shtete të ndryshme por nuk u ndanë.
Në maj të vitit 2015, Matt realizoi premtimin e tij të dhënë në fëmijëri, pikërisht në oborrin e shkollës ku të dy kishin qenë në parashkollor.
Ai i propozoi të dashurës së tij, në oborrin ku shumë vjet më parë kishte deklaruar dashurinë e tij.
Çifti kurorëzuan dashurinë e tyre në muajin dhjetor të vitit 2016, duke vërtetuar se dashuritë si në përralla ekzistojnë.