Irlanda nuk do të marrë pjesë në festivalin më të madh të këngës në Evropë, "Eurovision", vitin e ardhshëm nëse Izraelit i lejohet të marrë pjesë.
RTE, transmetuesi irlandez tha në një deklaratë se një numër anëtarësh të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) ngritën shqetësime në lidhje me pjesëmarrjen e Izraelit në konkurs në asamblenë e përgjithshme të unionit në korrik.
RTE shtoi se "qëndrimi" i saj është që Irlanda nuk do të marrë pjesë në Festivalin e Këngës në Eurovision 2026 nëse pjesëmarrja e Izraelit vazhdon.
Transmetuesi do të marrë "vendimin përfundimtar në lidhje me pjesëmarrjen e Irlandës", pasi EBU të vendosë nëse Izraeli do të marrë pjesë, vazhdon deklarata.
"RTE dëshiron të falënderojë EBU-në për procesin e gjerë të konsultimit që u iniciua menjëherë pas atij takimi dhe zgjatjen e opsionit për t'u tërhequr nga pjesëmarrja pa penalizim deri në dhjetor."
Deklarata shtoi: "RTE mendon se pjesëmarrja e Irlandës do të ishte e paarsyeshme duke pasur parasysh humbjen e vazhdueshme dhe të tmerrshme të jetëve në Gaza. RTE është gjithashtu thellësisht e shqetësuar nga vrasja e synuar e gazetarëve në Gaza dhe mohimi i aksesit të gazetarëve ndërkombëtarë në territor, si dhe gjendja e vështirë e pengjeve të mbetura".
Irlanda e ka fituar Eurovisionin shtatë herë, duke e ndarë më shumë se çdo vend tjetër së bashku me Suedinë. Fitorja e saj e fundit ishte në vitin 1996, shkruan Skynews, transmeton Klankosova.tv.
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.