Lajmet e fundit

Si funksionon kjo industri?
Sipas njohësit të fushës së sigurisë kibernetike, Korab Keqekolla, IPTV-të ilegale krijohen me një infrastrukturë që mundëson kopjimin e sinjalit apo përmbajtjes nga operatorë të ligjshëm, për të rishitur më pas atë përmbajtje.
Megjithatë, sipas tij, në Kosovë shumë persona blejnë IPTV-të ilegale të gatshme nëpër botë përmes tregut të zi, dhe më pas bëjnë rishitje.
“Duhet të jesh shumë i mirë teknikisht, ta njohësh infrastrukturën kompjuterike për të bërë një IPTV. Sidomos në Kosovë, shumica e njerëzve e rishesin, ka shumë pak që e bëjnë infrastrukturën”, thotë Keqekolla.
Sipas tij, personat që rishesin IPTV gjejnë kontakte nga vende të ndryshme të botës, deri edhe në vendet afrikane, ku blihet përmbajtja e vjedhur, dhe më pas i rishitet konsumatorëve në vend.
“Janë kanalet nga e gjithë bota, por lista që [shitësit lokalë] e reklamojnë për klientët e Kosovës përbëhet nga kanale kombëtare”, shpjegon ai.
Çfarë thonë institucionet?
Sipas Komisionit të Pavarur për Media (KPM), në Kosovë operojnë 13 subjekte të licencuara për IPTV.
“Ofrimi i shërbimit IPTV pa licencë është ilegal. Ofruesit që nuk janë të licencuar nga KPM-ja nuk duhet të ofrojnë shërbime televizive ose audiovizuele për publikun”, i tha KPM-ja Radios Evropa e Lirë.
KPM-ja pohon se monitoron tregun dhe, kur ka indikacione për aktivitete ilegale, iniciohen procedura ligjore, në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë.
Megjithatë, sipas këtij institucioni, identifikimi i operatorëve ilegalë mbetet i vështirë, pasi shërbimet shpesh aktivizohen nga serverë jashtë Kosovës.
Shërbime IPTV të reklamuara në TikTok
Shërbime IPTV të reklamuara në TikTok
Në pesë vjetët e fundit, KPM-ja pohon se ka identifikuar gjithsej 19 raste të operimeve ilegale të iniciuara nga ta.
“Nga ta, 6 operatorë kanë aplikuar për licencim pranë KPM-së, duke u futur në procedurat përkatëse ligjore, ndërsa rastet e tjera janë mbyllur, pas ndërprerjes së veprimtarisë së tyre”, tha KPM-ja.
Veç këtyre, ishin edhe 5 raste të ankesave.
“Në 2 raste është konstatuar se subjektet përkatëse kishin zhvilluar veprimtari në kuadër të operatorëve të licencuar, ndërsa 3 raste të tjera nuk janë identifikuar si operime aktive në terren”, tha KPM-ja për REL-in.
Por, për disa nga kompanitë e mëdha që ofrojnë shërbime të ligjshme të IPTV-së, industria ilegale është e një shkalle shumë më të madhe, dhe po shkakton dëme të mëdha.
Ato janë angazhuar në inicimin e rasteve në organet e rendit, ndonëse nuk shprehen të kënaqura me reagimin institucional karshi kësaj dukurie.
Operatori Artmotion thotë se kanalet televizive që ai ofron janë ndër më të vjedhurat për t’u shitur nga IPTV-të ilegale.
“Këta operatorë ilegalë, kryesisht biznese fantome, pa identitet juridik dhe pa licencë, keqpërdorin përmbajtjet dhe kanalet tona. Përmbajtja e vjedhur rishitet me çmime dukshëm më të ulëta, si brenda ashtu edhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, i tha REL-it Sotir Sokoli, drejtor ligjor në Artmotion.
Sipas tij, gjatë viteve 2024 dhe 2025, ky operator ka paraqitur në Prokurorinë e Prishtinës 9 kallëzime penale, që përfshijnë 95 operatorë ilegalë të IPTV-ve.
Sokoli thotë se ekziston vullnet institucional për trajtimin e këtyre rasteve, “mirëpo efektiviteti praktik mbetet i kufizuar dhe jo proporcional me shkallën e dëmit të shkaktuar nga fenomeni i IPTV-ve ilegale”.
Ai shton se “institucionet kryesisht humbin kohë duke kërkuar nga njëra-tjetra që të ndërmarrin masa. Për shembull, Krimet Ekonomike pranë Policisë se Kosovës i drejtojnë [rastet] tek Krimet Kibernetike, Krimet Kibernetike i drejtojnë kërkesat fillimisht te KPM-ja, e të tjera”.
Nga Prokuroria e Prishtinës nuk iu përgjigjën pyetjeve për rastet e iniciuara dhe të trajtuara në lidhje me IPTV-të ilegale.
Operatori tjetër i licencuar i IPTV-së në Kosovë, IPKO, thotë se ka raportuar vazhdimisht raste në Prokurori, por se progresi institucional ka qenë i kufizuar.
“Operatorët ilegalë përfitojnë nga e njëjta përmbajtje, pa asnjë kompensim financiar, dhe krijojnë konkurrencë të padrejtë”, thekson IPKO.
Një fenomen në rritje në Evropë
Zyra e Bashkimit Evropian për Pronën Intelektuale (EUIPO), në një raport që përfshin edhe çështjen e IPTV-ve ilegale në shtetet e BE-së, thotë se fenomeni është në rritje, ndonëse matjet e sakta janë “të vështira për t’u bërë”.
Në anën tjetër, një raport i vitit 2022, i publikuar nga Aleanca kundër Piraterisë Audivizuele (AAPA), thotë se kjo industri ilegale ka gjeneruar mbi 1 miliard euro në fitime, dhe ka shkaktuar rreth 3 miliardë euro humbje për operatorët e ligjshëm.
Sipas matjeve të AAPA-s, rreth 17 milionë evropianë, apo 4.5 për qind e popullatës së BE-së, kanë pasur qasje në IPTV ilegale.
Këto raporte nuk përfshijnë shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe as të tjera që nuk janë pjesë e BE-së.
Pse është i vështirë luftimi i IPTV-ve ilegale?
Ekspertë nga EUIPO thonë se dallimi kryesor mes piraterisë IPTV dhe piraterisë në ueb është mënyra e shpërndarjes.
“IPTV ilegale funksionon përmes rrjeteve të menaxhuara, dhe shpesh imiton cilësinë e shërbimeve legale, duke e bërë më të vështirë identifikimin”, thuhet në raport.
Sipas Keqekollës, luftën e bën të vështirë edhe fakti që krimi i vjedhjes së IPTV-së është kryesisht multinacional.
“Arsyeja pse është shumë e vështirë të gjurmohet është sepse serverët janë [zakonisht] me një shtet tjetër, personi i cili i merr pagesat që administron krejt këtë [IPTV] është me një shtet tjetër, dhe personi që e rishet është komplet në shtet tjetër”, thotë ai.
Megjithatë, për Keqekollën, organet e rendit kanë mundësi ndjekjeje të shitësve në Kosovë, përmes platformave ku ata reklamojnë IPTV-të.
“Pas secilit rishitës apo shitës në nivel nacional është një numër telefoni, një reklamë Facebook-u, që me disa klikime mund të verifikohet kush është ai person që është duke bërë këtë veprimtari”, thotë ai.
Policia e Kosovës nuk ka ofruar të dhëna specifike se sa raste në lidhje me IPTV-të janë trajtuar viteve të fundit, pasi thotë se bën ndarjen e të dhënave vetëm sipas veprës penale.
Dhjetë raste të cenimit të së drejtës së autorit, vepra me të cilën kryesisht ndiqen rastet e shitjes së IPTV-ve ilegale, janë regjistruar që nga viti 2021, sipas Policisë.