Deputeti i Kuvendit të Ukrainës, Oleksiy Goncharenko, është nisur drejt Prishtinës.
Ai do të arrijë këtë të martë, derisa të enjten do t’u drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës me një fjalim.
Për konicidencë, ai intervistën për KlanKosova.tv e ka dhënë rrugës drejt Kosovës, derisa ka treguar edhe pika nga ajo çfarë do të thotë para ligjëvënësve kosovarë.
“Është e qartë se do të jenë marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Ukrainës, çfarë do të thotë lufta në Ukrainë për tërë botën e lirë, lidhjet në mes vendeve tona, atë se çfarë jemi duke bërë që Ukraina ta njohë Kosovën si vend të pavarur dhe ta ndihmojmë Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, është shprehur ai.
Goncharenko ka thënë se është i bindur që një ditë Kievi zyrtar do të njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ka shtuar se në të dhe kolegët e tij, Prishtina mund të llogarisë, duke nisur nga Këshilli i Evropës.
“Pozicioni i Ukrainës tani është të mos e njohë Kosovën. Nëse jemi duke folur për komitetin e ministrave, nuk mendoj që Ukraina do të jetë një mbështetës aktiv, por do të bëj gjithçka që mundem që Ukraina të mos jetë një kundërshtues aktiv. Kjo është më e mira që mund ta bëjmë. Do të bëj gjithçka për të dhënë mbështetje në asamblenë parlamentare”.
INTERVISTA E PLOTË:
Më 27 tetor, pasnesër, do t’i drejtoheni Kuvendit të Kosovës. Cila është përmbajtja e fjalimit tuaj?
Oleksiy Goncharenko: Është e qartë se do të jenë marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Ukrainës, çfarë do të thotë lufta në Ukrainë për tërë botën e lirë, lidhjet në mes vendeve tona, atë se çfarë jemi duke bërë që Ukraina ta njohë Kosovën si vend të pavarur dhe ta ndihmojmë Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Ardhja juaj në Prishtinë, vlerësoni se është shenja e radhës e nisjes së një partneriteti në mes të Kosovës dhe Ukrainës?
Oleksiy Goncharenko: Shpresoj se do ta bëjmë më të mirën për të lëvizur përpara për miqësi dhe partneritet.
Kur do të vini në Kosovë, z.Goncharenko?
Oleksiy Goncharenko: Do të mbërrij sonte. Do të jem aty me ftesë të deputetit Haki Abazi, kryetar I Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, por edhe tërë udhëheqësisë së Kuvendit të Kosovës.
Kohë më parë keni dorëzuar një rezolutë në Kuvendin e Ukrainës me të cilën kërkoni njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendi juaj? Është marrë parasysh, do të merret së shpejti?
Oleksiy Goncharenko: Tani për tani s’ka asgjë dhe pritet që të shqyrtohet në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit të Ukrainës. Jam I sigurt se njohja do të ngjajë një ditë, por s’mund ta them kur.
Do ta jap më të mirën që kjo të ndodhë sa më parë. Jam i sigurt se shumë nga kolegët e mi e mbështesin idenë, por që kjo shumë, nuk nënkupton se është shumica.
Besoni se ka qenë gabim kundërshtimi që Ukraina ka bërë lidhur me pavarësinë e Kosovës nga 17 shkurti 2008?
Oleksiy Goncharenko: Mendoj se shumëçka po ndodhë në këtë kohë. S’mund të them se ka qenë gabim për shkak të situatës në Ukrainë dhe që më 2008 bota ndodhej në situatë krejt tjetër nga 2022-ta.
Tani mendoj se është koha për ta bërë [njohur Kosovën] dhe mendoj se Ukraina duhet të bashkëpunojë me Kosovën.
Kosova dhe Ukraina aspirojnë anëtarësimin në NATO. Sa mund të bashkëpunohet këtu dhe çfarë mund të bëhet?
Oleksiy Goncharenko: Duhet të bashkëpunohet edhe sa i përket NATO-s.
Javë më parë në Këshillin e Evropës keni dhënë mbështetjen për Kosovën. Madje në shqip thatë “Kosova është Evropë”. A mund të llogarisë Kosova në përkrahjen e mëtejme tuajën në këtë këshill?
Oleksiy Goncharenko: Mund të ju them se Kosova mund të llogarisë në mua dhe kolegët e mi. Pozicioni i Ukrainës tani është të mos e njohë Kosovën. Nëse jemi duke folur për komitetin e ministrave, nuk mendoj që Ukraina do të jetë një mbështetës aktiv, por do të bëj gjithçka që mundem që Ukraina të mos jetë një kundërshtues aktiv. Kjo është më e mira që mund ta bëjmë. Do të bëj gjithçka për të dhënë mbështetje në asamblenë parlamentare.
Ukraina tani po përballet me pushtimin rus. Kur besoni se do të ndodhë çlirimi?
Oleksiy Goncharenko: Jam i sigurt se do të ndodhë çlirimi, por askush nuk mund ta thotë se kur, por që do të ndodhë, do të ndodhë sepse jemi duke luftuar për tokën tonë, pavarësinë tonë dhe vlerat tona të përbashkëta. Bota e lirë është duke na përkrahur neve.
Si e shihni reagimin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj pushimit të Ukrainës nga Rusia?
Oleksiy Goncharenko: Bashkësia ndërkombëtare është duke bërë punë të madhe dhe Ukraina ka mbështetje të madhe, por që mund të bëhet më tepër në mënyrë që të përfundohet gjithçka sa më shpejt. Tani po flas për armatimin që është diçka që mund të na ndihmojë neve për ta fituar këtë luftë sa më parë që të jetë e mundur.
A po vazhdojnë kërcënimet nga Serbia në drejtim tuajin, tani kur po vini në Kosovë?
Oleksiy Goncharenko: Kam pranuar disa kërcënime në rrjetet sociale. Por nuk mërzitem. Rusia dy herë ka provuar që të më vrasë. S’po merrem me to, mendoj që s’ka diçka serioze./KlanKosova.tv/
●●●
LSHKRIMI NGA
LiZe
Editorial nga Klan Kosova — ndjek on intervista dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.