Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Massimiliano Paolucci, thotë se Kosova është në rrugë të mirë sa i përket rritjes ekonomike.
Për të nuk është e rëndësishme të theksohet përqindja, por që vendi vazhdon të ketë trend rritës.
Ai në një intervistë për emisionin Portofol në Klan Kosova FM, ka nënvizuar edhe hapjen e vendeve të reja të punës në ekonominë kosovare.
“Bazuar në të dhënat e kufizuara që ne i kemi vëzhguar, dhe mundemi t’i vëzhgojmë, janë krijuar vende të reja pune. Është e vështirë të shprehen në formë sasiore, por që nga pandemia e deri tani, përfshirë edhe vitin e shkuar, janë krijuar vende të reja pune”, është shprehur Paolucci.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës, ka pasur përpjekje që ta luftojë inflacionin me të cilin u përballë vendi.
“Definitivisht ka pasur përpjekje për reagim ndaj krizës, duke ofruar subvencione për efiçiencë të energjisë, dhe kjo duhet përshëndetur, sepse kontribuon për uljen e faturës së energjisë. Kemi parë edhe disa përpjekje për mbështetjen e më të cenueshmëve, por sërish, vendimtare është se a janë masat të shënjestruara, dhe a janë të përkohshme - sa për reagim ndaj krizës, dhe jo të përhershme”, ka vazhduar ai.
Paolucci në këtë intervistë ka folur edhe për Ligjin e Pagave dhe nismat rajonale ekonomike si Ballkani i Hapur dhe Procesi i Berlinit.
INTERVISTA E PLOTË:
Këtë intervistë po e fillojmë me raportin që Banka Botërore publikoi para disa ditësh, ku ju parashikoni se rritja ekonomike në Kosovë do të jetë 3.7%, më e larta në rajon. Ku e bazoni këtë?
Massimiliano Paolucci: Po të shohim ekonominë në rajon dhe në Kosovë, vërejmë se të gjitha ekonomitë u janë nënshtruar ndikimeve nga dy goditje, rritja e çmimeve të ushqimeve dhe rritja e çmimeve të energjisë. Në vitin 2020, të gjitha vendet, përfshirë edhe Kosovën, kaluan goditjen e tmerrshme të COVID-it, që la shumë pasoja në jetën e njerëzve dhe në ekonomi.
2021-shi ishte viti i rimëkëmbjes, kur vendi përjetoi rritje ekonomike për më shumë se 10%. Në 2022 rritja u ul, së pari shkaku i rivendosjes së niveleve normale, dhe së dyti shkaku i dy goditjeve që përmendëm. Pra, projeksionet tona po i bazojmë në vëzhgimet rreth mënyrave si po u përgjigjet ekonomia këtyre dy goditjeve, nivelit të aktivitetit ekonomik, flukseve të investimeve, konsumit, shpenzimeve publike, shpenzimeve private, dhe kursimeve. Pra, kombinimi i të gjitha këtyre vëzhgimeve dhe perspektivave për rimëkëmbje dhe normalizim të çmimeve të lëndëve të para, na ofron perspektivat për këtë vit dhe vitet në vazhdim.
3.7 bazohet në vëzhgimin se vendi ka kaluar disa probleme për shkak të presionit inflacionist dhe tkurrjes së kërkesës të nxitur nga rritja e çmimeve të energjisë. Por në të njëjtën kohë kemi lajmin e mirë se vendi do të vazhdojë të rritet në bazë të performancës së mirë të eksporteve dhe të investimeve të udhëhequra nga remitancat nga diaspora. Por duhet edhe të jemi të kujdesshëm. Për shembull, kur flasim për investimet në ndërtimtari, që financohen kryesisht me burime nga diaspora, duhet ta kemi parasysh se çmimet e lëndëve të para, çimentos, materialeve të ndërtimit, janë rritur. Kjo mund t’i kufizojë investimet në infrastrukturë dhe patundshmëri. Pra, është një kombinim. Për fat të keq është e vështirë të jepet një numër i qartë, dhe këto që ju thashë mund të ndryshojnë pas disa muajsh në rast se do të ketë ndonjë goditje tjetër, por ne kështu mendojmë.
E përmendët se vijmë nga një vit me rritje prej 10%, dhe tani jemi në 3 apo 4%. A mjafton kjo, nga ajo situatë në këtë ku jemi? A mund ta konsiderojmë si sukses?
Massimiliano Paolucci: Vendi vinte nga viti 2020 kur tkurrja e BPV-së ishte më shumë se 5%. Pra, kishte pasur tkurrje, dhe 10% ishte rezultat i rimëkëmbjes plus rritjes.
Nëse shohim performancën tradicionale të rritjes ekonomike në Kosovë si vend përgjatë dekadave të fundit, rritja e përvitshme ka qenë rreth 3-4%. Pra, përputhet me performancën e kaluar të rritjes së vendit. Mund ta diskutojmë a mjafton kjo për vendin, që të arrihet të mbyllet hendeku në të hyra me pjesën tjetër të Evropës, dhe sidomos me Bashkimin Evropian. Ne do të argumentonim, se për këtë kërkohet rritje më e madhe, por kjo varet nga ndryshimi i strukturës së ekonomisë së vendit. Tradicionalisht, vendi është mbështetur në remitancat dhe kërkesën, si publike ashtu edhe private, por nga koha e pandemisë kemi parë se vendi ka përjetuar rritje të eksporteve, dhe kjo do të çojë në rritje më të madhe.
Mirëpo, që të rriten edhe më shumë eksportet, duhet të ketë investime në shëndetësi dhe arsim që të përmirësohet kapitali njerëzor i këtij vendi, pasuria kryesore e këtij vendi. Duhet të ketë investime që ia mundësojnë sektorit privat të krijojë edhe më shumë punë. Duhet të ketë investime për modernizimin e sektorit energjetik, për modernizimin e infrastrukturës. Pra, duhet të ndodhin shumë gjëra që vendi të rritet në shkallë edhe më të larta.
Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kishin parashikuar për vitin 2022 rritje prej 3.0 dhe 3.1% përkatësisht, por sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës rritja për 2022 ishte deri në 4%. Po për vitin 2023, a mund të jetë rritja më e madhe se 3.7%?
Massimiliano Paolucci: Secili prej nesh, rritjen e BPV-së e llogarit ose parashikon në kohë të ndryshme. Varësisht nga variablat që i vëzhgojmë në një kohë të caktuar, mund të kemi dallime në vlerat dhjetore në këtë rast. Fokusi nuk duhet të jetë a kemi dallime prej plus apo minus 0.3, 0.4, apo 0.7. Fokusi duhet të jetë tek trendi, a po shkon lartë apo poshtë. Dhe trendi është në rritje.
Kur jemi ende tek rritja ekonomike, ju keni parashikuar se Kosova do të ketë rritjen më të lartë në rajon. Pse nuk arrijnë vendet tjera të rajonit të rriten më shumë se 3.7%?
Massimiliano Paolucci: Sepse kjo varet nga kushtet themelore për secilin vend. Secili vend ka strukturë të ndryshme ekonomike, secili vend ka reaguar ndryshe ndaj krizës së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, secili vend është përgjigjur me politika të ndryshme për investime apo politika për mbështetje të më të cenueshmëve, kështu që nuk mund të bëjmë përgjithësime, dhe na duhet të merremi me situatën e secilit vend që ta kuptojmë se si do të reagonte ajo ekonomi. Por, është gjithashtu e vërtetë, dhe këtë dua ta nënvizoj, se reagimi pasqyron edhe çështjet themelore ekonomike të atij vendi.
Pra, nëse një vend ka pasur rritje të moderuar, mund të ndodhë që të vazhdojë me rritje të moderuar, apo edhe pak më të ulët, nëse nuk zbatohen reformat e nevojshme për rritje më të lartë. Kjo e bën dallimin. Fillimisht, nuk mund të përgjithësojmë. Së dyti, pasqyrohen vlerat themelore dhe historike të vendit të caktuar, dhe reagimi varet nga sa i aftë është secili vend të përfitojë nga kriza që të modernizohet.
A është Kosova në pozitë më të mirë se vendet tjera të rajonit?
Massimiliano Paolucci: Kosova po rritet në nivele tradicionale, dhe vendet e tjera po ndjekin rrugë të ngjashme. Për këtë krahasim duhet një seri historike, dhe mund të shihet se rruga historike e rritjes përputhet me rezultatet aktuale.
Sërish, nuk do të fokusohesha tek numrat në vetvete, por tek lloji i rritjes për të cilën po flasim. A po flasim për rritje që krijon pasuri? A po flasim për rritje që krijon pasuri për qytetarët? A po flasim për rritje që e përgatit vendin të përballet me sfida të reja në të ardhmen dhe që përputhet me trendet në tregjet ndërkombëtare? Këtu do të fokusohesha.
Çka mund të thoni për efektin tek papunësia? Dimë se është rreth 20% në Kosovë. Ju nuk flisni për shifra. Ju thoni se doni rritje hap pas hapi, lart e më lart. A është e mjaftueshme kjo rritje ekonomike për të ndikuar tek papunësia?
Massimiliano Paolucci: Dua të theksoj dy gjëra. Së pari, është shumë e vështirë të flitet për numrat e të punësuarve dhe të papunëve në këtë vend.
Por anketat e fundit nuk janë ende të disponueshme. Kjo është një gjë që nuk duhet harruar. Thënë kjo, ne kemi edhe të dhëna të tjera që i shqyrtojmë, për shembull kontributet në sistemin pensional, të cilat tregojnë se punësimi është rritur pak. Tash, a po krijon ekonomia e Kosovës mjaftueshëm vende pune me cilësi të mirë për qytetarët e vendit? Jo! Dhe sidomos jo për gratë. Ky është problem i madh për vendin, sidomos pjesëmarrja e ulët e grave ne fuqinë e punës. Aty ka çështje strukturore, por edhe kulturore, që duhen adresuar.
Por që Kosova të krijojë më shumë vende punë për qytetarët, që do të nënkuptonte më pak qytetarë që emigrojnë, do të duhej të kishte investime në shëndetësi dhe arsim. Kompanitë ankohen se nuk po i gjejnë shkathtësitë e duhura për vendet e reja të punës që do të donin të krijonin, për shembull për të prodhuar mallra për Evropë. Do të duhej të kishte disa reforma që do t’ia mundësonin sektorit privat që të jetë agjent i krijimit të edhe më shumë vendeve të punës. Do të duhej të kishte investime për modernizimin e infrastrukturës, për lidhjen e vendit me tregtinë rajonale dhe globale. Pra, do të duhej të ndodhnin disa gjëra, dhe sipas meje rritja do të mund të ishte edhe më e lartë, dhe do të mund të krijoheshin më shumë vende pune, por duhet të vazhdojnë përpjekjet për reforma.
Krijimi i vendeve të reja të punës ka qenë premtim elektoral i kryeministrit Albin Kurti. A ka ndodhur kështu, apo jo? Sipas pikëpamjes suaj, a janë krijuar vende pune?
Massimiliano Paolucci: Bazuar në të dhënat e kufizuara që ne i kemi vëzhguar, dhe mundemi t’i vëzhgojmë, janë krijuar vende të reja pune. Është e vështirë të shprehen në formë sasiore, por që nga pandemia e deri tani, përfshirë edhe vitin e shkuar, janë krijuar vende të reja pune.
Inflacioni është një problem tjetër që e ka prekur jo vetëm Kosovën dhe rajonin, por edhe botën. Si e shihni përgjigjen e qeverisë së Kosovës për luftimin e inflacionit?
Massimiliano Paolucci: Inflacioni, veçanërisht në rastin e Kosovës, është kryesisht i importuar, dhe kjo shihet sepse Kosova importon energji, edhe pse prodhon mjaft, por i duhet të importojë energji, si dhe importon ushqime, dhe këta janë dy komponentët kryesorë të inflacionit, si në rajon, ashtu edhe globalisht.
Kosova është shtet që ka adoptuar euron si valutë, dhe kjo nënkupton që e vetmja mënyrë që kanë autoritetet që ta kontrollojnë inflacionin nuk është përmes politikës monetare, sepse kjo nuk mund të ndryshohet, por përmes politikës fiskale, pra çfarë shpenzimesh bën dhe për çka i bën ato. Themelet e Kosovës janë solide, është një nga vendet me deficitin dhe borxhin kundrejt BPV-së më të ulët në rajon dhe në Evropë. Ky është aspekt i rëndësishëm që duhet konsideruar, sepse që autoritetet të jenë në gjendje t’i përgjigjen presionit inflacionit, politika fiskale duhet të mbetet e kujdesshme. Në një vend ku burimet janë të limituara, ku edhe mjetet janë të limituara tek politika fiskale, atëherë çështja kryesore është që të sigurohet se shpenzimet publike si përgjigje ndaj inflacionit, shënjestrojnë më të cenueshmit dhe ata që kanë më shumë nevojë.
Shpenzimet e pashënjestruara mund të sjellin rezultatin e kundërt, mund ta nxisin inflacionin edhe më shumë. Definitivisht ka pasur përpjekje për reagim ndaj krizës, duke ofruar subvencione për efiçiencë të energjisë, dhe kjo duhet përshëndetur, sepse kontribuon për uljen e faturës së energjisë. Kemi parë edhe disa përpjekje për mbështetjen e më të cenueshmëve, por sërish, vendimtare është se a janë masat të shënjestruara, dhe a janë të përkohshme - sa për reagim ndaj krizës, dhe jo të përhershme.
A ka bërë gabim opozita në Kuvend që vazhdimisht i ka kërkuar qeverisë dhe kryeministrit të përdorë politikën fiskale, dhe jo monetare, sepse siç e thatë, atë nuk mund ta ndryshojë. A duhet Qeveria e Kosovës që luftën kundër inflacionit ta bazojë më shumë në politika fiskale, apo jo?
Massimiliano Paolucci: Politika fiskale është i vetmi instrument që ka, kështu që është cilësia e politikës fiskale që do ta përcaktojë nëse përgjigja është më shumë apo më pak adekuate. Duhet frenuar tundimi për rritje të shpenzimeve, për përdorimin e politikës fiskale për të injektuar më shumë likuiditet në sistem, sepse kjo do të çonte në më shumë inflacion.
Një çështje tjetër është se Banka Qendrore e Kosovës, në konferencën për vitin e shkuar përmendi se nuk i ka ndryshuar normat e interesit në kreditë aktive. A ishte ky një hap i mirë, apo jo, që të mos ndryshohen normat e interesit gjatë periudhës inflacioniste?
Massimiliano Paolucci: Keni parë se normat e interesit kanë qëndruar pak e shumë konstante anembanë Eurozonës. Ka pasur një rritje, natyrisht...
Edhe pse Kosova është ekonomi e eurozuar, Banka Qendrore e ka njëfarë fleksibiliteti të miratojë politikat e veta, dhe këtu vlerësimet varen nga soliditeti i tregut financiar, dhe pa komentuar a ishte gabim apo e drejtë, do të supozoja se Banka Qendrore e ka marrë vendimin bazuar në vlerat themelore të ekonomisë së Kosovës.
Sërish, këtu çështja nuk është të shihet përqindja, por sa solid është sistemi. Dhe këtu, sistemi është mjaft solid. Nëse flasim për sektorin bankar, përqindja e kredive me probleme ka mbetur e qëndrueshme, me vlera të ulëta, dhe kjo është shenjë e mirë për një ekonomi si e Kosovës.
Në Kuvend, opozita ka këmbëngulur për miratimin nga Kuvendi të tërheqjes së mjeteve nga Fondi Pensional i Kosovës. A e mbështesni këtë, apo jo? Sepse nesër, në Kuvend do të flitet për këtë temë, për herë të dytë brenda gjashtë muajsh.
Massimiliano Paolucci: Pozicionin tonë e kemi bërë mjaft të qartë gjatë muajve të shkuar, dhe sërish dua të ndërlidhem me mesazhin kryesor, targetimi i burimeve të limituara tek më të cenueshmit. Masa të tipit që do të lejonin tërheqje shtesë nga Fondi Pensional, sipas nesh, pikë së pari do të minonin qëndrueshmërinë e Fondit të Kursimeve Pensionale me kalimin e kohës, dhe së dyti kanë mundësi të kontribuojnë në rritjen e niveleve të inflacionit në vend përmes konsumit të mundësuar nga disponueshmëria e likuiditetit shtesë.
Vendi duhet ta konsiderojë reformimin e sektorit pensional në një moment, të adresojë qëndrueshmërinë e të hyrave kundrejt plakjes, si dhe të shqyrtohet qëndrueshmëria e sistemit në vetvete, dhe ka modele të ndryshme në Evropë dhe rajon nga të cilat Kosova mund të nxjerrë mësime. Parakusht për këtë është reformimi i ndihmës sociale së pari, duke e bazuar ndihmën sociale dhe të gjithë komponentët e mbrojtjes sociale, në kriterin e testimit të nivelit të varfërisë. Është një projekt i Bankës Botërore që është aktualisht në Kuvend, që do të ndihmonte për zbatimin e reformës së ndihmës sociale, por fatkeqësisht po rri në Kuvend prej më shumë se 1 vit, dhe shpresojmë që të miratohet së shpejti, në mënyrë që të fillohet procesi për reforma shtesë.
Nga 1 shkurti fillon zbatimi i ligjit të ri për pagat. Në periudha inflacioniste dhe në kohë me rritje të tillë ekonomike, a është e drejtë të rriten pagat në sektorin publik?
Massimiliano Paolucci: Ka dy gjëra këtu. E para është rritja e pagave dhe e dyta është zbatimi i ligjit për pagat. Rritja e pagave është vendim fiskal, dhe kur shikojmë buxhetin 2023 shohim se është parashikuar rritja e pagave në vijë me rregullën fiskale, për të ruajtur kujdesin fiskal, si dhe është përfshirë mundësia dhe impakti i inflacionit në paga.
E dyta është vetë ligji për pagat, i cili praktikisht synon sistematizimin e një sektori që ishte tepër i fragmentuar. Besueshmëria e zbatimit të ligjit për pagat varet edhe nga zbatimi i ligjeve të tjera të lidhura me të, dhe besueshmëria e atij ligji varet edhe nga sa mirë ndërlidhet ligji me kujdesin fiskal. Është vështirë të thuhet a ishte e drejtë apo e gabuar të rriteshin pagat, sepse së pari kjo duhet të aprovohet dhe kodifikohet, por në të njëjtën kohë duhet ta ndajmë diskutimin e rritjes së pagave me zbatimin e ligjit për pagat, sepse janë dy gjëra të ndryshme.
Zoti Paolucci, arritëm në minutën e fundit të intervistës, dhe dua t’ju pyes për Open Balkans, një iniciativë ekonomike e krijuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por Kosova refuzon të bëhet pjesë e saj. Si e shihni këtë?
Massimiliano Paolucci: Për vendet e vogla dhe me ekonomi të vogël, si vendet e Ballkanit, integrimi rajonal është i domosdoshëm. Është një proces në vazhdim, Procesi i Berlinit, si dhe ka mënyra të tjera që të realizohet integrimi rajonal. Ne flasim për integrim rajonal në tregun energjetik, në lehtësimin e tregtisë dhe transportit, për shembull. Integrimi rajonal mund të ndodhë, dhe ka mënyra të ndryshme për ta arritur këtë, por rëndësi ka që integrimi rajonal të kontribuojë në integrimin e këtyre vendeve në procesin e anëtarësimit në BE.
Ku duhet të fokusohet Kosova, në Procesin e Berlinit apo Open Balkans?
Massimiliano Paolucci: Ky është vendim sovran, dhe nuk më takon të jap opinione për këtë.
●●●
LSHKRIMI NGA
LiZe
Editorial nga Klan Kosova — ndjek on intervista dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.