Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, ka thënë se shqiptarët atje janë duke protestuar pasi po kërkojnë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, dhe sipas tij, po bëhet spastrim etnik ndaj tyre.
Në një intervistë ekskluzive për Klankosova.tv, ai ka theksuar se protestat nuk do t'i ndalin.
"Pas një sërë marrëveshjeve që udhëheqësit e institucioneve tona i kanë arritur me Qeverinë e Serbisë, e që asnjëra nuk është respektuar, ne po përdorim mjetin e fundit, protestën. Ne kërkojmë vëmendjen e faktorit ndërkombëtar sepse ajo që po ndodh me ne është spastrim etnik. Protestat do të vazhdojnë, kaq mund te them tani".
Lutfiu ka përmendur edhe mbështetjen që marrin nga dy qeveritë shqiptare.
Ndër tjera, kasti i ri politik në krye të Qeverisë së Serbisë, sipas tij, ka mendësi të njëjtë si politikanët e kaluar.
"Qeveritë po ndërrohen, mendësia është e njëjtë. Prandaj nuk ka shpresë se qeveria e re do të reflektojë", pohoi Lutfiu.
Intervista e plotë e Lutfiut për Klankosova.tv:
Klankosova.tv: Së fundmi keni protestuar për një mori problemesh që i prekin shqiptarët në Serbi, gjegjësisht në Luginë të Preshevës. A mendoni se do t'i arrini qëllimet tuaja me anë të protestave, dhe kur pritet të mbahet protesta tjetër që e keni paralajmëruar?
Z.Lutfiu: Pas një sërë marrëveshjeve që udhëheqësit e institucioneve tona i kanë arritur me Qeverinë e Serbisë, e që asnjëra nuk është respektuar, ne po përdorim mjetin e fundit, protestën. Ne kërkojmë vëmendjen e faktorit ndërkombëtar sepse ajo që po ndodh me ne është spastrim etnik.
Protestat do të vazhdojnë, kaq mund te them tani.
Klankosova.tv: Cili është bashkëpunimi juaj me ndërkombëtarët? A mendoni se i dëgjojnë kërkesat e juaja dhe a mendoni se të njëjtat i përcjellin te institucionet shtetërore të Serbisë?
Z.Lutfiu: Ne në mënyrë të rregullt i kemi raportuar, kemi raporte të rregullta, por keni parasysh jetojmë në një shtet i cili i bëri ballë botës për mos t'i vendos sanksione Rusisë.
Klankosova.tv: Nga cila prej dy qeverive shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë, keni mbështetje më të madhe?
Z.Lutfiu: E ndjejmë mbështetjen nga dy qeveritë, shpresojmë se mbështetja do të jetë më e thellë (të përpilohet strategji kombëtare) për Luginën.
Klankosova.tv: Me cilat probleme përballen më së shumti shqiptarët e Luginës?
Z.Lutfiu: Pasivizimi i adresave, mos njohja e diplomave të të rinjve të Luginës që kanë studiuar në Kosovë, mos integrimi në institucione shtetërore.
Klankosova.tv: Serbia tashmë e ka një qeveri të re. Çka prisni nga kjo kastë politike në Serbi?
Z.Lutfiu: Qeveritë po ndërrohen, mendësia është e njëjtë. Prandaj nuk ka shpresë se qeveria e re do të reflektojë.
Klankosova.tv: Përpos protestave, çfarë veprimesh planifikoni të ndërmerrni për të përmirësuar situatën e shqiptarëve në Luginë?
Z.Lutfiu: Ne jemi në koordinim të vazhdueshëm me Kosovën dhe Shqipërinë, mbështetja e dy shteteve tona është thelbësore për ruajtjen e substancës kombëtare. /Klankosova.tv
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek on intervista dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.