Lajmet e fundit

Sinjali i një dite më pas është më i qartë se ai i një dite më parë. Interi do të gjobisë protagonistët negativë të sfidës së të Dielës ndaj Lazios, që prishën harmoninë në shtëpinë zikaltër. Felipe Melo që gaboi në fushë duke ndikuar drejtëpërdrejtë në rezultat me veprimet e tij por edhe Stevan Jovetic e Adem Ljajic sipas asaj që raporton Gazzetta Dello Sport do të gjobiten nga klubi me 5% të pagës mujore. Më keq nga të gjithë këtë mes e ka pësuar mesfushori brazilian i cili pasi ndëshkua nga gjykatasi sportiv i Serisë A me tre ndeshje skualifikim për ndërhyrjen e rëndë që shkaktoi ndaj Biglias, tanimë duhet të nxjerrë nga xhepi edhe shumën e 10 mijë e 400 Eurove që përkon me 5% të pagës së tij mujore. Kush gabon paguan dhe pas Felipe Melos, klubi zikaltër po mendon seriozisht të gjobisë edhe dy të pakënaqurit e sfidës së të Dielës.
Gjithmonë sipas asaj që shkruan Gazzetta Dello Sport e cila është edhe media në fjalë që publikoi lajmin për zënkën që kishte ndodhur në dhomat e zhveshjes së Interit, drejtuesit e klubit me shumë gjasa do të gjobisin me 5% të pagës mujore edhe dy ish lojtarët e Fiorentinës. Jovetic i cili pati një konflikt me trajnerin Mancini në përfundim të sfidës ndaj bardhekaltërve nëse gjithcka rezulton e vërtetë do të nxjerrë nga xhepi shumën e 12 mijë e 500 Eurove, ndërsa Ljajic pakënaqësinë që shprehu ndaj trajnerit për mos aktivizimin si titullar në duelin e të Dielës duhet ta paguajë me shumën e 7.500 Eurove. Te Interi tashmë të gjithë luten që pushimet e Krishtlindjes tu bëjnë mirë këtyre tre futbollistëve por edhe pjesës tjetër te skuadrës në mënyrë që kur ekipi të grumbullohet sërish në datën 28 Dhjetor mos të ekzistojnë më probleme të tilla, pasi vetëm nëse ka një harmoni e plotë mes trajnerit dhe lojtarëve Interi mund të tentojë fitimin e një titulli kampion që tifozët zikaltër aq shumë e dëshirojnë.