“Si në bahçe të babës” po funksionojnë tash e sa kohë bizneset online.
Si shitje më të rrezikshme po konsiderohen tanimë shitja e ilaçeve e suplementeve të ndryshme përmes internetit, pa kurrfarë kontrolli, raporton Kiks Kosova.
Mirëpo çka po bën shteti për ndalimin e kësaj dukurie dhe rregullimin e saj?
KIKS Kosova kërkoi përgjigje nga institucionet e vendit lidhur me këtë çështje.
Pas disa ditësh pritje, në adresën elektronike të emisionit erdhën përgjigjet e shkruara nga Ministria e Shëndetësisë në koordinim me Inspektoratin Farmaceutik.
Në këto përgjigje për Kiksin, inspektorati ka treguar se si bëhen kontrollet e tyre nëpër barnatore e depo farmaceutike, duke lënë të kuptohet se nuk ka ndonjë mekanizëm për bizneset online.
Duke treguar se shitja online e produkteve medicinale është e ndaluar, kontrollimin e bizneseve të tilla online thonë se e bëjnë vetëm kur kanë informacione të verifikuara.
Inspektorati farmaceutik për KIKS Kosovën tha se angazhimin me faqet online e bën vetëm kur ka ankesa në adresë të tyre apo të MSh-së.
Deri më tani, ky inspektorat thotë se ka pasur katër raste ndëshkimi lidhur me reklamimin dhe shitjen e produkteve medicinale online.
Kiks Kosova dërgoi pyetje edhe në institucionin e ATK-së dhe të Policisë së Kosovës, mirëpo deri në momentin e transmetimit, në adresë të emisionit nuk kanë ardhur përgjigje. /Klankosova.tv
https://youtu.be/DvCDjj_RXDs
●●●
FHSHKRIMI NGA
Florentina Hoti
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.