Gjatë të hënës së kësaj jave, Klankosova.tv raportoi për një rast ku një qytetar hidhte mbeturina në një lokacion në zonën turistike të Brezovicës.
Për këtë rast, ka reaguar vetë qytetari në fjalë, R.G., i cili ka deklaruar se komuniteti e ka atë pikë si vendin e vetëm për hedhjen e mbeturinave.
E redaksia e Klankosova.tv ka kontaktuar Inspektoratin e Komunës së Shtërpcës, nga ku u konfirmua se është marrë në shqyrtim rasti në fjalë.
Elbasan Aliu, udhëheqës i Inspektoratit, ka deklaruar se qytetari nuk është gjobitur, sepse në dukje deponia ku janë hedhur mbeturinat dukej legale, edhe pse, sipas tij, ajo është ilegale.
“Pasi që e kemi parë që është publiku videoja, jemi marrë me rastin. S’kemi mundur të marrim masa që ta gjobisim, sepse deponia në dukje të parë ka qenë legale, por deponia është ilegale. Qytetari ka marrë vetëm vërejtje që në të ardhmen ta dijë që deponia është ilegale”, tha Aliu për Klankosova.tv.
Ai shtoi se problemi kryesor është mungesa e një kompanie pastrimi që të mbledhë mbeturinat nga kjo zonë, që është zonë ku janë vilat e qendrës së skijimit.
Aliu tha se në janar të këtij viti, komuna ka larguar vullnetarisht mbeturinat, por shtoi se kjo nuk mund të bëhet rregullisht për shkak të kostos së dërgimit në deponi.
“Problemi është se komuna e Shtërpcës nuk ka kompani pastrimi që merr mbeturinat kah qendra e vikendit, ku janë të vendosura vilat. Në janar, në fillim të këtij viti, komuna vullentarissht ka dalë dhe kanë larguar mbeturinat, por as kjo nuk mund të bëhet më, sepse dërgimi në deponi kushton", shtoi ai.
Elbasan Aliu tha se inspektorati mund të ndërmarrë vetëm veprime sensibilizuese për të njoftuar qytetarët për statusin ilegal të deponisë.
“Krejt çka mund të bëjë Inspektorati është që të bëjë një kërkesë tek Drejtoria e Shërbimeve Publike që të njoftohen qytetarët se ajo deponi është ilegale”, tha Aliu.
Ndërkaq, qytetari R.G. ka dërguar në redaksi edhe dokumentin e inspektoratit ku të njëjtit i është tërhequr vërejtja që në të ardhmen të mos hedh mbeturina në atë lokacion.
Në këtë dokument potencohet se qytetari është ftuar nga policia dhe inspeksioni për të dhënë deklaratë në ambientet policore mbi veprimet e tij, dhe theksohet se i njëjti ka deklaruar se do t'i largojë mbeturinat e hedhura.
Sipas pamjeve të publikuara dy ditë më parë nga Klankosova.tv, R.G. shihet teksa hedh mbeturina në lokacionin e sipërpërmendur.
Ndërkohë, po atë ditë në redaksinë e Klankosova.tv ishte lajmëruar qytetari në fjalë, i cili ka deklaruar se komuniteti e ka atë pikë si vendin e vetëm për hedhjen e mbeturinave.
Ai thotë se zona ku është hedhur bërlloku është parking dhe, sipas tij, një pjesë e betonuar e destinuar për mbeturina.
“Edhe nga komuna e Shtërpcës nuk ka asnjë përgjegjësi dhe asnjë informatë se si mund të posedohen shportat e mbeturinave apo të paguhet ky shërbim, prandaj komuniteti e ka të vetëm pikë aty ku i kanë hedh edhe shumë persona të tjerë”, deklaroi qytetari. /Klankosova.tv
https://klankosova.tv/e-turpshme-ne-brezovice-qytetari-hedh-mbeturinat-nga-vetura-ne-rruge-video1111/
●●●
VZSHKRIMI NGA
Vanesa Zhugolli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.